“Sirena” spanjolle për Latifin

Nuk u shit në verë, por në janar me shumë mundësi do të largohet nga Skënderbeu. Liridon Latifi është një nga emrat më të lakuar në klubin korçar për t’u transferuar në një skuadër jashtë Shqipërisë. Pas dështimit të pistës për t’u shitur te klubi rus Rostov, në skenë gjatë muajve të fundit dolën kampionët e Kazakistanit, Astana.
Kjo mundësi mbetet ende e hapur, por burime të sigurta treguan dje se klubi bardhekuq po negocion me një skuadër spanjolle, që militon në La Liga. Për momentin emri i klubit nuk bëhet i ditur, por interesimi mësohet se është konkret dhe palët janë në bisedime intensive. Nëse çdo gjë do të shkonte sipas planeve, atëherë do të ishte një nga transfertat më të mëdha për Skënderbeun, teksa Latifin do të ndiqte rrugën e Berishës dhe Olainkës.
Për mesfushorin me tipare ofensive mësohet se Skënderbeu kërkon afërsisht 800 mijë euro. Të paktën, me këtë shifër klubi synoi ta shiste kosovarin edhe te FC Rostov në verë. Mirëpo, ndryshimi i drejtuesve të ekipit rus bëri që tratativa të ngrinte dhe më pas të dështonte përfundimisht. Së fundmi talenti i Skënderbeut është grumbulluar edhe nga kombëtarja shqiptare dhe kësisoj vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm.

Artikulli paraprakZëdhënësja e KE: Përse u vendos autorizimi 5 euro
Artikulli tjetërNdryshimet, 1 noter për 10 mijë banorë