1 noter për 10,000 banorë. Ky është një prej ndryshimeve që pritet t’i nënshtrohet ligji për noterinë në Shqipëri. Deri tani, numri i noterëve dhe shpërndarja e tyre përcaktohej nga ministri i Drejtësisë, i cili kishte të drejtë që çdo dy vjet të bënte rishikime. Ky ndryshim pritet të sigurojë një mbulim dhe shërbim më të mirë për popullatën.
Për presidenten e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi, ndryshimet që parashikohen të bëhen në ligjin që rregullon këtë profesion janë pozitive. Sipas saj, përcaktimi i numrit të noterëve me ligj do të përmirësojë shërbimin dhe do të forcojë edhe më tej rolin e këtij profesioni. Një tjetër ndryshim që ajo thekson ka të bëjë edhe me faktin se noterët do t’i nënshtrohen edhe një tjetër konkurrimi përpara provimit që bëhet për të marrë licencën. Vetëm nëse noteri do të marrë pikët e duhura, do të mund të kalojë te provimi i licencës. Kjo gjë do të vlejë edhe në rastin kur licenca mund të trashëgohet te fëmijët, të cilët do të duhet t’i nënshtrohen këtij konkurrimi.
Për herë të parë, thotë znj. Sadushi, do të krijohet një qendër trajnimi, e cila do të ngrihet pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë. Pranë kësaj qendre noterët që do të duan të pajisen me licencë, duhet të trajnohen për një periudhë të caktuar kohe (9 muaj) dhe më pas do t’i nënshtrohen konkurrimit. Ky i paraprin dhe kushtëzon hyrjen në provimin që realizon Ministria e Drejtësisë për dhënien e licencës. Licenca e noterit nuk rifreskohet, ajo nuk ka afat.
Një tjetër risi, që nënvizon znj. Sadushi, është ngritja e bordeve pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, si ai i Disiplinës, i Auditimit dhe i Trajnimeve. Trajnimet parashikohet të ofrohen kundrejt pagesave, por që do të jenë të arsyeshme. Në ligj nuk parashikohen ndryshime sa i përket stazhit që duhet të bëjnë noterët dhe që është dy vjet, sikundër deri më sot.
Gjithashtu do të vazhdojë të mbetet e drejtë e ministrit të Drejtësisë dhënia apo heqja e licencave në fushën e noterisë.
Në këtë mënyrë, thotë znj. Sadushi, synohet forcimi i rolit të noterëve, si dhe ai i Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Në ligj parashikohen ndryshime edhe në përbërjen e anëtarëve që udhëheqin provimin e marrjes së licencës. Kështu përbërja e re do të jetë: dy përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, dy nga Dhoma dhe një nga Magjistratura ose fakulteti.
Numri i noterëve në Shqipëri aktualisht llogaritet në 475, por kjo shifër nuk pritet të ndryshojë me ndryshimet në ligj.