ILD kërkon të shkarkojë gjyqtarin e Gjykatës Administrative në Lushnjë: Zbardhi me vonesë 32 dosje!

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje, Ken Dhima, pasi ka bërë shkelje të rënda profesionale.

Sipas ILD-së, Dhima ka zbardhur me vonesë “32 vendime gjatë periudhës Mars 2018 me vonesa nga 1 në 6 muaj; ka zbardhur me vonesë gjatë periudhës 24.06.2021-29.07.2021 dhe 29.07.2021-30.03.2022, 189 vendime me vonesa nga 1 muaj në 26 muaj.”

NJOFTIMI I PLOTË I ILD: 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj magjistratit K.DH., në kohën e shkeljes, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, për shkelje shumë të rënda profesionale, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, në vazhdim të hetimit disiplinor të nisur nga ish KLD në vitin 2018, ndaj këtij magjistrati, për vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore; ndërsa ILD ka bërë bashkimin e praktikave të verifikimit dhe hetimit disiplinor dhe bashkimin e procedimeve hetimore, të filluara ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit K.DH.

Nga hetimi disiplinor i ILD, i shtrirë në vite pune, për 292 vendime të magjistratit ka rezultuar se:

Magjistrati ka zbardhur me vonesë 32 vendime gjatë periudhës Mars 2018 me vonesa nga 1 në 6 muaj; ka zbardhur me vonesë gjatë periudhës 06.2021-29.07.2021 dhe 29.07.2021-30.03.2022, 189 vendime me vonesa nga 1 muaj në 26 muaj.

Nga provat e marra gjatë hetimit disiplinor, rezulton se gjyqtari duke vepruar me vonesë ne zbardhjen e vendimeve të evidentuara, tej çdo afati të arsyeshëm dhe objektiv, ka sjellë si pasojë zvarritjen e pajustifikuar të proceseve gjyqësore, si dhe kryerjen me vonesë të veprimeve të tjera procedurale në kuadër të këtyre proceseve.

Nga të dhënat e administruara gjatë hetimit, rezulton se çështjet e gjykuara, për të cilat është marrë vendim nga ana e magjistratit, e që janë arsyetuar me vonesë, për nga natyra e objektit të padisë apo të kërkesës, nuk rezultojnë aspak të jenë të një niveli kompleks apo të vështirë, në atë përmasë që të justifikojë vonesën, bazuar edhe në eksperiencën 19 vjecare të gjyqtarit.

Vonesa të tilla dëmtojnë të drejtën e subjekteve për një proces të rregullt gjyqësor, duke iu cenuar të drejtën për të pasur një vendim të arsyetuar dhe për të bërë ankim, duke dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, për sa kohë tejkalimi i afateve logjike dhe normale, është thuajse i barabartë me mungesën e drejtësisë.

Provohet se magjistrati K.DH., në veprimet dhe mosveprimet e tij ka kryer shkelje të rënda profesionale, që përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës
Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor administrimin e provave të paraqitura në këtë procedim disiplinor dhe pranimin e propozimit për masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për K.DH.gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnje, për shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1, shkronja “d”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Artikulli paraprakA do ta mbajë këtë radhë Gjykata e Lartë presionin e Berishës?
Artikulli tjetërJo vetëm në doganën e Kakavijës/ Korrupsion edhe në policinë kufitare, disa efektivë nën hetim