Vetëm HTT – High Tech Tests, kompania që bën kolaudimin e matësve të energjisë, deklaroi fitime prej 3.6 milionë eurosh më 2015-n, me një normë fitimi prej 70%…
Dy kompanitë e kolaudimit dhe blerjes së matësve të energjisë kanë deklaruar fitime dhe norma shumë të larta kthimi në vitin 2015. HTT – High Tech Tests, që është e licencuar nga Drejtoria e Meteorologjisë dhe Kalibrimit për kolaudimin e matësve dhe Ital-Project që bën blerjen e matësve kanë deklaruar të dyja fitime që arrijnë në 5.5 milionë euro, sipas bilanceve përkatëse të vitit 2015, ndërsa normat e fitimit arrijnë deri në 70%.
HTT – High Tech Tests, e krijuar në fillim të vitit 2014, me aktivitet në verifikimin e të gjithë llojeve të matësve elektromekanikë dhe statikë të energjisë elektrike aktive dhe reaktive, trefishoi të ardhurat më 2015-n, për të arritur në 727 milionë lekë. Kompania ka deklaruar një fitim para taksave prej 495 milionë lekësh (rreth 3.6 milionë euro), me një normë mbresëlënëse fitimi prej gati 70%. Sipas të dhënave të saj zyrtare, një pjesë të rëndësishme të grupit e përbën edhe kolaudimi i matësve të ujit dhe matësve të energjisë elektrike. Kompania është e licencuar nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit për Kolaudimin e Matësve dhe tarifat janë të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas burimeve nga OSHEE.
Krahas kolaudimit të matësve, HTT ka fituar në qershor 2015 tenderin e OSHEE “Blerje bokse individual për matës induktiv 1 dhe 3-fazor”, me fond limit prej 90,000,000 (nëntëdhjetë milionë) lekë pa TVSH, ku kompania ka paraqitur një vlerë prej 89,400,000 (tetëdhjetenëntë milionë e katërqind mijë) lekë pa TVSH. Oferta, ndonëse ishte më e larta, është pranuar, pasi kompanitë e tjera janë skualifikuar për shkak të problemeve teknike me paraqitjen e mostrave apo mungesa në dokumentacion.
Në bilancin e vitit 2015, HTT kishte shpenzime minimale për paga prej rreth 72 milionë lekësh, blerje lënde të parë prej 78 milionë lekësh dhe të tjera shfrytëzimi prej rreth 83 milionë lekë (përfshirë interesat), çka i ka mundësuar t’u gëzohet fitimeve të larta prej rreth 3.6 milionë eurosh dhe normës së kthimit prej 70%, që do t’ua kishte zili çdo biznes tjetër.
Ital-Project, një operator që ndonëse i krijuar në vitin 2008, ka njohur lulëzim të aktivitetit vetëm më 2015-n, ku qarkullimi vjetor arriti në 592 milionë lekë dhe fitimi para taksave në 255 milionë lekë (1.9 milionë euro), me normë fitimi 43%. Kompania, sipas burimeve të saj zyrtare, është e specializuar në studimin, projektimin, dhënien e konsulencës dhe asistencës për ndërtimin, instalimin e ankorimit, sistemet dhe pajisjet për realizimin e çdo lloj posttensioni për soleta dhe dysheme. Në tetor të vitit 2015, Ital-Project, së bashku me Eltec sh.p.k. kanë fituar tenderin e OSHEE “Blerje matësish elektronikë 1-fazor dhe 3-fazor”, me fond limit rreth 200 milionë lekësh pa TVSH, duke dhënë ofertën më të lartë prej 195.5 milionë lekësh (firmat e tjera u skualifikuan për mungesë dokumentacioni dhe mostrash).
Në vitin 2015, emri i kompanisë u ndërrua nga Ital-Toner në Ital-Project, sipas ekstraktit në QKB, ndërsa Ital-Toner është në listën e borxhlinjve të tatimeve sipas të dhënave zyrtare të faqes së internetit të tatimeve.