Benzema edhe mund të rikthehet te Franca

Trajneri i përfaqësueses franceze, Didier Deschamps i hap dyert e gjelave, sulmuesit të Realit të Madridit, Karim Benzema. Në një intervistë për mediat franceze, numri 1 i 1-herë kampionëve të Botës la të hapura mundësitë që ish-lojtari i Lyonit të rikthehet të luajë me ekipin përfaqësues. Deschamp në fjalën e tij bëri të ditur se, arsyeja që ai nuk është mbështetetur te Benzema gjatë kësaj periudhe ka patur të bëjë vetëm me faktin se lojtari u përfshi në çështjen Valbuena, duke i bërë shantazh këtij të fundit.
Megjithatë, Deschamps u tregua i gatshëm për të grumbulluar sërish në kombëtaren franceze 28-vjeçarin edhe pse për diçka të tillë duhet të vendosin instancat më të larta të shtetit, sepse skandali në cilin u përfshi Benzema i kaloi përmasat e futbollit, duke u kthyer në një çështje kombëtare, pasi në lojë ishte imazhi i shtetit francez në sytë e Europës dhe Botës. “Benzema ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren franceze, por më pas ndodhën gjëra të çuditshme, kur marr disa vendime të caktuara, unë e bëj për të mirën e ekipit”, theksoi trajneri i gjelave. Benzema ka që nga tetori i vitit 2015 që nuk grumbullohet në kombëtaren franceze, por Deschamps la të kuptohet se situata në të cilën ndodhet futbollisti nuk do të jetë e njëjtë pas 4 muajsh apo ndoshta 1 viti.

Artikulli paraprakSkënderbeu nën presion
Artikulli tjetërGrizman më “urren”