Kuvendi nuk do e shqyrtojë as këtë të enjte dekretin e Presidentit, megjithëse në kalendarin e Kuvendit ishte shënuar data 24 nëntor. Në respekt të afateve të caktuara nga rregullorja, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese duhej të shqyrtonte brenda të martës dekretin e Nishanit, që e cilëson në kundërshtim me Kushtetutën atë pjesë të ligjit që lejon importin e mbetjeve. “Nuk kemi ngut”, komentojnë jashtë kameras deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa motivet që vazhdojnë të mbajnë në sirtaret e Kuvendit dekretin e Presidentit, duket se kanë të bëjnë më shumë me ekuilibrat brenda mazhorancës. Rikthimi i importit të mbetjeve u prit me protesta nga Shoqëria Civile dhe Edi Rama kërkon ta ndajë përgjegjësinë me aleatin e tij kryesor, Ilir Metën. Por kreu i LSI-së është i ndërgjegjshëm se kosto elektorale, kur na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet, nuk do të ishte e lehtë.
Mazhoranca i bëri disa amendime ligjit dhe u përpoq të fitojë kohë, duke deklaruar se priste një opinion nga Komisioni Europian, i cili erdhi këtë fillim jave, duke mbështetur draftin e qeverisë. “Duke mbajtur parasysh situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe mungesën e një infrastrukture të përshtatshme në vend për këtë menaxhim, ne besojmë se amendamentet ndaj Ligjit të Integruar të Mbetjeve janë të mirëadoptuara dhe i përshtaten Shqipërisë në këtë moment”. Por Shoqëria Civile e ka bërë të ditur se, nuk pranon korrigjime të tekstit. Për të distancuar veten nga çdo përgjegjësi me kosto elektorale, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar javët e fundit dy takime me përfaqësues të Shoqërisë Civile. Pasi u dëgjuan nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, ata u pritën edhe nga Ilir Meta në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, ku duket se kanë marrë edhe premtimin që prisnin. Në të tilla kushte, gjasat janë se dekreti i Presidentit Nishani do të vazhdojë të mbetet në sirtaret e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, seancën e kaluar, Sali Berisha nuk ua kurseu sulmet kundërshtarëve në lidhje me dekretin e Presidentit Nishani për mbetjet, duke akuzuar të majtët për mos votimin e tij. Pritja do të vazhdojë pavarësisht përgjigjes pozitive nga Brukseli. “Nuk kemi ngut”, thotë mazhoranca, për të mos thënë nuk kemi dakortësi! Rama ndjehet komod në refuzimin e Ilir Metës dhe në të njëjtën kohë qetëson deputetët e tij, si Erion Braçe, që edhe në mbledhjen e fundit të Grupit parlamentar të PS-së e kanë këshilluar Kryeministrin të presë, për të evituar koston politike.