Paloka: Mazhoranca, nga një krim kushtetues në tjetrin

Parlamenti në seancë duhet të votojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve, pra papajtueshmërinë e mandateve të Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit. Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka i bëri thirrje Parlamentit që të votojë sot dërgimin e mandateve të Leskajt e Sulit në Kushtetuese, si dhe të miratojë gjithashtu ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e aferës CEZ.
Duke u ndalur tek çështja e mandateve të dy deputetëve, Paloka e cilësoi të papranueshëm vendimin qesharak të urdhëruar nga Rama që Leskaj e Suli t’i drejtohen vullnetarisht gjykatës.
“Ju jeni në dijeni të faktit që mazhoranca u detyrua më në fund të ecë në anën kushtetuese, pasi deri dje ka qenë haptaz në kryerjen e një krimi kushtetues, duke mos pranuar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çuarjen e çështjes së dy deputetëve të mazhorancës në gjykatë. Nga ky akt, pra më në fund janë tërhequr, por sigurisht jo me dëshirë, por nën presionin e opozitës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Pra, hapi i parë është arritur, mund të konsiderohet ose jo, një fitore e jona. Them jo, sepse mazhoranca është e detyruar të zbatojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të bësh beteja për këtë çështje, është alogjike megjithatë në këto kushte jemi dhe për pasojë jemi të detyruar të luftojmë për zbatimin e Kushtetutës në Parlament, megjithatë ky hap tashmë duket i realizuar. Më në fund, mazhoranca është tërhequr nga krimi kushtetues dhe ka marrë vendimin që t’i dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese deputetët e saj”, tha Paloka.
Në lidhje me çështjen e ngritjes së komisionit hetimor ndaj aferës CEZ dhe refuzimit të mazhorancës, Paloka tha se Rama po kryen një tjetër krim kushtetues.
“Por ka një ngërç juridik aty që është sqaruar dhe nga kolegët e mi sepse kuptohet që mazhoranca nuk është në pozita shumë të mira, pasi dihet këmbëngulja e Ramës për të mos i dërguar në Gjykatë Kushtetuese të dyja çështjet. Pas kësaj tërheqjeje, duket që ata përpiqen të bëjnë një shpëlarje, po është çështje e tyre. Duket pra, se ajo letra personale e dy deputetëve përdoret për të fshirë fytyrën e ndotur të mazhorancës në këtë rast. Për ne, rëndësi ka që, me justifikim ose pa justifikim, mazhoranca u detyrua të tërhiqet nga ky krim kushtetues. Por ndërkohë me zhvillimet e reja duket se ikja nga një krim kushtetues nuk po e frenon të shkojë drejt një tjetër krimi kushtetues, që është ai i mospranimit të komisionit hetimor për CEZ. Siç e dini, çështja e CEZ është afera më e madhe korruptive e këtyre viteve në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës, ku Edi Rama është direkt përgjegjës, është direkt i lidhur, pra një çështje korruptive që nxjerr direkt para publikut Kryeministrin Rama”, u shpreh Paloka.

– Do të marrë pjesë opozita të premten tek Komisioni i Reformës për Drejtësi?
Unë po ju them që jemi prapë përballë një krimi. Vendimin e merr mazhoranca nesër në Parlament pasi nuk ka pranuar me justifikime aspak të qenësishme ngritjen e komisionit hetimor, një nga çështjet që e ka bërë të qartë Gjykata Kushtetuese në maj të vitit 2014 dhe që e kemi realizuar pas një marrëveshje në dhjetor të 2014, edhe me mazhorancën aktuale. Po i rikthehemi prapë një historie të vjetër ku mazhoranca përpiqet të pengojë ngritjen e komisioneve hetimore me justifikime që nuk kanë asnjë bazë ligjore, për më tepër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në maj të 2014. Ky kthim pas, na çon prapë në pozitat e shkeljes së Kushtetutës nga mazhoranca, të një krimi kushtetues dhe sigurisht që grupi parlamentar i PD do të marrë vendimet e tij.

– Pra, keni kushte të tjera?
Kush foli për kushte. Mua më pëlqen kur gazetarët përsërisin qëndrimet e politikanëve. Kushte të opozitës nuk ka. Kushtetuta është i vetmi kusht që ne kemi. Këtu ligjet janë të vetmet kushte që ne kemi. Po ju ripërsëris që ikën nga një krim kushtetues dhe po kalojnë në një krim tjetër kushtetues. Vendimin mazhoranca e merr nesër pasi nesër, Parlamenti në seancë duhet të votojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve, pra papajtueshmërinë e mandateve të dy deputetëve të mazhorancës, dhe njëkohësisht duhet të votohet për ngritjen e komisionit hetimor të CEZ që është afera më e madhe korruptive e kësaj qeverie dhe që lidh direkt Edi Ramën me këtë akt korruptiv. Kjo është e vetmja arsye pse mazhoranca nuk pranon ta miratojë këtë komision dhe të kalojë në një krim tjetër kushtetues.
– Do të thotë do të prisni deri nesër?
Do të thotë që pas vendimit nesër në Parlament ne do të marrim një vendim si grup, për të gjitha hapat e tjerë të opozitës.

Artikulli paraprakRistani: Rama, përpjekje për të fshehur mandatet e Leskajt e Sulit
Artikulli tjetërKryebashkiaku i Ramës fyen nënën e varfër: Ta fus portofolin në gojë