Pasi i premtuat vetes që në vitin 2024 do të ushqeheni shëndetshëm, gjëja e parë që bën është të shkosh të psonisësh në pazar për ushqime të shëndetshme.
Është e mundur që të gjeni produkte të sezonit që janë të mbushura me vitamina e që na mbajnë në formë në këto ditë dimri, duke filluar me panxharin e kuq të Maliqit, me lakrat gjithë shije të Lushnjës apo gamën e gjerë të perimeve të freskëta me rrënjë.
Panxhari i kuq
Në Shqipëri zona që shquhet për prodhimin e panxharit në vend, është ajo e Maliqit.
Zgjidhni panxhar që është më i rëndë për madhësinë e tyre dhe kujdesuni që të mos ketë të çara në lëkurë.
Nëse shiten dhe me pjesën e bishtit, pjesa jeshile është tregues i freskisë dhe mund të gatuhen shumë shpejt (janë me të vërtetë shumë të shijshëm – mos i anashkaloni).
Vendosini në frigorifer në një qese plastike të mbyllur në mënyrë hermetike.
Lakra
E pasur me vitaminë C dhe K, lakra është një super ushqim për parandalimin e kancerit.
Duke ngrënë më shumë lakër, zvogëloni rrezikun e kancerit të gjirit dhe kancerit në zorrë dhe prostat.
Plus studime të reja kanë treguar se të ushqehesh me këtë lloj perimi ndihmon për ta mbajtur në super formë sistemin imunitar.
Lakrat më të mira janë nga zona e Lushnjës, që njihet dhe për prodhimin më të madh të lakrës.
Zgjidhni lakër që ka ngjyrë të fortë dhe sigurohuni që gjethet të jenë të mbyllura fort dhe lakra të jetë e fortë.
Mbajini të mbyllur në frigorifer në qese plastike të izoluara mirë.
Ka disa mënyra për ta gatuar lakrën. Ajo tradicionale që kanë gatuar gjithnjë mamatë tona, duke e zier, por edhe në sallatë.
Lulelakra
Lulelakra prodhohet nga muaji dhjetor deri në muajin maj. Për këtë arsye ky është dhe një produkt shumë i kërkuar në treg.
Fermerë shqiptarë në vitin e fundit e kanë shtuar prodhimin e lulelakrës për shkak të rritjes së kërkesës nga tregu vendas dhe ai europian.
Në Janar, ju mund të konsumoni lulelakër të freskët, në sasinë e duhur, pasi vlerat ushqyese të saj janë të shumta. Por mos e teproni, pasi konsumi në sasi shumë të mëdha, shkakton fryrje të barkut.
Lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik.
Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin. Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.
Për ta konsumuar gjithmonë të freskët, duhet të kujdesemi që kurora e lulelakrës që zgjedhim, njësoj si ajo e brokolit, të jetë e mbyllur dhe lulëzat e saj duhet të jenë të pozicionuara shumë afër njëra tjerës.
Varieteti i bardhë duhet të jetë shumë i zbehtë dhe nuk duhet të ketë asnjë pikë, apo njollë të zezë në sipërfaqe.
Edhe pse në pamje lulelakra duket jetëgjatë, në të vërtetë ajo prishet shumë shpejt. Për ta ruajtur sa më gjatë, mbështilleni dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit.
Karrota
Kohë më parë karrotat ishin vetëm të një lloji, të mëdha dhe portokalli. Sot mund t’i gjeni në një shumëllojshmëri formash, përmasash dhe ngjyrash. Karrotat janë nga perimet më të ëmbla me rrënjë.
Mënyra më e mirë për t’i zgjedhur karrotat është nga ngjyra, duhet të jenë në ngjyrë të forte, por duhet të bëni kujdes dhe tek rrënja, e cila nuk duhet të ketë të çara.
Vendosini në një vend të thatë dhe mos i mbani në qese, pasi lagështira që krijohet do t’i prishë më shpejt./AgroWeb.org