Në shtëpinë e Tiranës pritej një tjetër revolucion duke parë numrat dhe shifrat e bardhebluve në gjysmën e parë të sezonit. Në dyshim të fortë ishte edhe vetë e ardhmja e trajnerit Ahmataj, por pas një analizë të gjatë me stafin drejtues, presidenti Halili ka vendosur të konfirmojë Ahmataj në krye të ekipit të parë. Së bashku me pjesën tjetër të ekipit, Ahmataj drejtoi seancën e parë stërvitore në kompleksin “Skënder Halili”.
Në letër, merkato e Tiranës është ende e bllokuar, por në çdo rast, edhe nëse hapet sërish, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të bëjnë lëvizje të mëdha në këtë sesion. Është e qartë që pas largimit të Florent Hasanit, trajnerit Ahmataj i duhet me çdo kusht një qendërsulmues të ri, këtë kërkesë trajneri e ka shprehur në çdo dalje publike.
Në fakt, më shumë se sa sulmi, problemi më i madh i Tiranës në dy fazat e para ka qenë mbrojtja teksa kanë pësuar 24 gola në 18 javë, por në mbrojtje nuk pritet të ketë ndryshime, në një kohë kur ishte reparti që investuan më shumë në fillim të këtij sezoni. Që nga faza përgatitore, e deri te lëvizjet në treg, si rrallë herë, Tirana duket pasive. Sfida e parë për këtë vit do të jetë derbi kundër Dinamos më 12 janar.