Ajeti projektohet titullar ndaj Chievos

Po vjen momenti i debutimit të Arlind Ajetit në Serinë A. I dëmtuar në fund të muajit gusht, 23-vjeçari ende nuk është aktivizuar në ndeshjet zyrtare me Torinon, pavarësisht se gjendje e tij fizike gjatë javëve të fundit është përmirësuar ndjeshëm.
Sipas mediave pranë klubit “granata”, trajneri Sinisa Mihajloviç po e vlerëson mundësinë për t’i ofruar një shans mbrojtësit shqiptar në takimin e shtëpisë kundër Chievos, duke ulur në stol një mes Rossetinit dhe Castan. Arsyeja është e thjeshtë: gjatë muajit dhjetor Torino do të ketë një kalendar të ngjeshur, pasi do të luajë në transfertë me Sampdorian në “Marassi”, në shtëpi me Juventusin në derbi, në “San Paolo” me Napolin, për ta mbyllur më 22 dhjetor me Genoan, ndaj është shumë i nevojshëm aplikimi i rotacionit.
Ajeti mbërriti në verë te Torino si një nga blerjet më të goditura, por dëmtimi i pësuar atëherë kur konsiderohej titullar në formacionin e Mihajloviç pati ndikim negativ në formën e tij.
Mbrojtësi kuqezi ka humbur edhe ndeshjet e kombëtares në kuadër të eliminatoreve të botërorit me Maqedoninë, Lihtensteinin, Spanjën dhe Izraelin. Madje në takimin e fundit në “Elbasan Arena” kundër izraelitëve, edhe pse u grumbullua nga De Biasi, qëndroi në tribunë.

Artikulli paraprakMavraj, mbrojtësi perfekt i Kolnit
Artikulli tjetërGashi titullar në humbjen 2-1 të Rapids