Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Durrës, ku një 41-vjeçare, Bedrie Loka i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, pasi i kishin hapur një profil në platformën ‘TikTok’ , ku e fyenin dhe e bullizonin.
Pas kësaj ngjarjeje në rrjetet sociale është shpërndarë një poster, ku është lajmëruar për një protestë. Me sloganet “Lufto për të drejtat e tua! Bashkë për bullizmin”, protesta do të mbahet nesër në orën 11:30 në Sheshin Nënë Tereza, në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në një fshat të Sukthit. Një 41-vjeçare nga fshati Vadardhë i Sukthit ka humbur jetën në spital, pasi është dërguar me urgjencë nga familjarët. E sulmuar në mënyrën më të shëmtuar, nëna e katër fëmijëve është vënë para një presioni tepër të madh shoqëror dhe më pas dhe në familje. Pa mundur të kërkojë ndihmë, apo të gjejë shpëtim diku, ajo ka konsumuar një sasi fotoksine, për t’i dhënë fund tmerrit me të cilin po përballej publikisht në një komunitet të vogël.