Etrit Berisha në formacionin e javës

Vetëm 3 gola të pësuar në 8 ndeshjet e fundit. Për meritë edhe të Etrit Berishës, Atalanta e Giampiero Gasperinit ka fluturuar në këto 8 javë duke grumbulluar më shumë pikë edhe se Juventusi që kryeson, Serinë A. 7 fitore dhe 1 barazim për skuadrën bergamaske që ka gjetur te portieri shqiptar njeriun e duhur për t’i vënë kyçin portës. Berisha shkëlqeu në fushë edhe në ndeshjen e të dielës ndaj Romës teksa falë pritjeve që realizoi dhe sigurisë që shfaqi në portën e Atalantës, është përfshirë nga e përditshmja më e madhe sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport” në formacionin më të mirë të javës së 13-të në Serinë A.
Falë aftësive të 27-vjeçarit nga Prishtina që evitoi disa gola të sigurtë, Atalanta arriti të përmbyste avantazhin provizor të Romës duke triumfuar në fund me shifrat 2-1. Berisha edhe pse nuk arriti të evitonte dot golin e Diego Perottit nga pika e bardhë e penalltisë pavarësisht se arriti t’i kuptonte krahun, ishte përcaktues me pritjet që realizoi ndaj egjiptianit Mohamedd Salah. Në 3 raste gjatë pjesës së parë gardiani shqiptar u tregua thjesht fantastik me ndërhyrjet e tij ndaj Salah duke evituar tri gola të sigurtë. Me skemën 3-4-3, Berisha është portieri titullar i formacionit më të mirë të javës sipas “Gazzetta dello Sport”, ndërsa në 11-shen më të mirë bëjnë pjesë edhe Gobbi, Koulibaly, Lulic, Gagliardini, Felipe Andreson, Candreva, Bernardeschi, Suso, Gomez e Belotti.

Artikulli paraprak3 gola për 5 minuta
Artikulli tjetërPAOK-u nuk e huazon Kaçen