Avokati i Popullit ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike pas kërcënime të vazhdueshme me vdekje nga ana e bashkëshortit të saj dhe hapjes së një adrese false TikTok-u ku publikoheshin foto me përshkrime denigruese për të.
Në një reagim në “Facebook”, Avokati i Popullit shprehet se ngjarja, ishte tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Ndër të tjera, Avokati i Popullit shprehet reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor, ndërsa thekson se “fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen”!
Reagimi i plotë:
Ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së një gruaje në Shqipëri, si pasojë e fyerjes dhe denigrimit personal në një platformë sociale, ishte thellësisht tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Pranimi i një realiteti ku të gjithë kemi ndjeshmëri dhe vulnerabilitet është thelbi i një komuniteti të shëndetshëm, e kundërta është bullizëm!
Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës.
Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandarë e jetës tonë, duhet të mbajmë në vëmendje thelbin e humanizmit dhe respektit reciprok. Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen!
“Mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë; duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet tona në përditshmëri.
Avokati i Popullit bën një thirrje të dedikuar për të gjithë komunitetin e platformave të mediave sociale, për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqi kujdes për mirëqenien emocionale të të gjithë qytetarëve.