Mirupafshim “El Clasico”

Dëmtimi i pësuar në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Sporting Lisbonës ka rezultuar më i rëndë sesa mendohej dhe si rrjedhojë, Garet Beil nuk do të jetë në fushën e lojës në “El Clasico” kundër Barcelonës më 3 dhjetor. Lojtari u largua nga fusha e lojës pak minuta para përfundimit të ndeshjes së djeshme në Portugali dhe fillimisht u mendua se kishte një ndrydhje në kaviljen e djathtë. Por gjatë vizitave të specializuara mjekësore të djeshme u kuptua, që ai kishte një dëmtim në tendina dhe si rrjedhojë duhej të qëndrojë pushim për një periudhë prej të paktën dy javësh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai t’i nënshtrohet një operacioni të vogël.
Si rrjedhojë, parashikohet që Beil të jetë pushim për ndeshjen kundër Barcelonës më 3 dhjetor, por ndoshta edhe në takimin Ligës së Kampioneve ndaj Borusias së Dortmundit, që do të përcaktojë edhe hierarkinë e grupit në të cilin bëjnë pjesë të dy skuadrat.
Reali i Madridit ka siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve pas fitores së sotme me rezultatin 1-2 në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës. Kampionët në fuqi të Europës arritën të triumfonin falë golave të Varanes në minutën e 29 dhe Benzemasë në minutën e 87. Adrien Silva, barazoi shifrat përkohësisht me anë të një penalltie në minutën e 80’. Sportingu e mbylli këtë ndeshje me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Zhoao Pereirës në minutën e 64’-t.
Në momentin më delikat të sezonit, Reali i Madridit humbet shërbimet e Alvaro Moratës. Pas një dëmtimi të pësuar në kofshë në ndeshjen miqësore mes Anglisë dhe Spanjës, talenti i Los Blancos duhet të qëndrojë për rreth 1 muaj jashtë fushave të futbollit. Një lajm shumë i keq ky për trajnerin Zidane, i cili gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë as shërbimet e mesfushorit Toni Kroos.
Duke parë edhe formën jo të mirë që kalon bomberi francez, Karim Benzema dëmtimi i Moratës vjen në momentin më të papërshtatshëm për Realin e Madridit. Ish-sulmuesi i Juventusit do të humbasë në këtë mënyrë të gjitha sfidat e rëndësishme, që do të zhvillojnë merengues-it. Nga derbi i kësaj fundjave ndaj Atleticos së Madridit e deri tek dueli ndaj Borussias së Dortmundit në Champions. Në mes është edhe superpërballja me Barcelonën me Moratën, që nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Zidane as në El Clasico. Trajneri francez kishte gjetur te Morata një alternativë shumë të mirë për treshen e famshme BBC. 24-vjeçari është aktivizuar në 17 takime me Los Blancos në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni, duke realizuar dhe 8 gola.
Derbi i Madridit është kthyer në qendër të vëmendjes gjatë viteve të fundit dhe kjo për meritë të Atleticos, që ka arritur t’i kundërvihet skuadrës më të suksesshme të qytetit. Gjithsesi, kjo është një sfidë që përherë ka krijuar spektakël, tension dhe gola, sepse bëhet fjalë për dy skuadra që kërkojnë të ndajnë territorin e një qyteti gjigant.

Artikulli paraprakProkuroria kërkon 2 vjet burg për Neymar
Artikulli tjetërE turpshme të flasin gratë e futbollistëve