Nga dr. Hasan Bello
Më 5 qershor 1920 skadoi afati i ultimatumit që Komiteti Mbrojtja Kombëtare i kishte dërguar komandantit të forcave italiane në Vlorë. Kjo shënoi fillimin e luftimeve për çlirimin dhe dëbimin e ushtrisë italiane.
Forcat vullnetare shqiptare dhe banorët e fshatrave të Vlorës ku zhvilloheshin luftimet u mbështetën në mënyrë të organizuar me furnizime dhe ushtarë edhe nga qeveria shqiptare. Por kjo nuk bëhej haptazi. Ky fakt është fshehur qëllimisht nga historianët për dy arsye, e para, për shkak të kontributit të Ahmet Zogut dhe personaliteteve të tjera politike të kohës, të cilët, u anatemuan gjatë regjimit komunist dhe, e dyta, për ta paraqitur Luftën e Vlorës vetëm si kontribut lokal.
Politika italiane e gjendur në një pozitë të vështirë për të ruajtur influencën e saj përtej Adriatikut, vendosi të vepronte në dy drejtime: më 20 qershor 1920, vetëm apo me ndihmën e Francës eleminoi Esat Toptanin në Paris për t`i hapur rrugën zbatimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, i cili i njihte asaj Vlorën dhe protektoratin mbi shtetin e cunguar shqiptar; për të tërhequr vëmendjen e forcave të qeverisë shqiptare, që mbështeste Luftën e Vlorës, me anën e agjentit të saj Z.S, i cili më pas do të mbajë funksione të larta shtetërore, provokoi një incident në kufirin shqiptaro-jugosllav. Kjo shkaktoi atë që në histori ndryshe quhet Lufta e Koplikut.
Zyrtarisht luftimet nisën më 27 korrik 1920. Fillimisht qeveria shqiptare u përpoq që ta zgjidhte këtë konflikt në rrugë diplomatike. Ajo nuk kishte as kapacitetin, por as luksin që në këtë moment, kur po zhvillohej Lufta e Vlorës të hapte një front të dytë. Aq më tepër që delegacioni jugosllav në Konferencën e Paqes në Paris po mbante një qëndrim antiitalian e në interes të shtetit shqiptar.
Kur këto përpjekje dështuan, qeveria shqiptare dha urdhër për mobilizimin e përgjithshëm. Në Shkodër shkoi personalisht ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili në mbledhjen e shtabit, për t`i dhënë zemër të pranishmëve deklaroi: “Sot, vllazën të dashtun, asht koha me i lanë m’njanë të gjitha kujdeset e çka do të keni ma të përzemërt. Mendjet e fuqitë tuaja tash do të përpiqen për lirinë e Kombit tonë: qe se koha po avitet në logun e luftës, edhe pak çaste kemi për të dalë e vetë ma i pari kam m’u turr n’anmik”. Për mobilizimin e vullnetarëve shkodranë sipas parimit “një pushkë për shpi” u ngarkua një nga figurat më me influencë, Sylçe beg Bushati.
Në Luftën e Koplikut 1920, për herë të parë ushtria shqiptare aplikoi pengmarrjen e civilëve. Kjo ndodhi në Vrakë ku banonte një komunitetit i vogël malazez. Sipas një broshure të botuar nga Gjon Zeka në vitin 1932, i cili ka qenë dhe dëshmitar i këtyre luftimeve “Rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazez pak përtej Vrakës, të cilët u vunë me qindrue, por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë, tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë, që ushqejshin ndjesi sllave, e këto ndjesi u mundojshin me i zblue nepërmjet sa “kryengritjesh” e gjaqesh që banë. Vraka, që ishin me shpirt kah ana e anmikut, me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë rob për lagje, si nji peng deri mbas luftës, e se vrakaçorët nuk kishin për t’iu ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.
Pas bisedimeve dy palëshe, Lufta e Koplikut përfundoi më 14 shkurt 1921.