E turpshme të flasin gratë e futbollistëve

Reagon Diego Armando Maradona pas vendimit të futbollistëve të kombëtares së Argjentinës për heshtje shtypi si shenjë reagimi ndaj ndërhyrjes së mediave në jetën private të Ezekiel Lavecit. Më konkretisht ishte Lionel Mesi që në përfundim të sfidës me Kolumbinë, e fituar 3-0 nga të besuarit e trajnerit Edgardo Bauza, që iu drejtua gazetarëve për vendimin e marrë, mirëpo El Pibe De Oro gjen rastin për të shigjetuar lojtarët për këtë sjellje tyren.
“Nuk e di se cili është problemi, ndaj nuk mund të them nëse kanë vepruar drejt, por nëse është një vendim i grupit, atëherë në rregull. Por ka një problem: lojtarët nuk flasin vetë, por lejojnë bashkëshortet e tyre që ta bëjnë këtë dhe kjo është e turpshme”, u shpreh Maradona.
Por Maradona nuk ndalet me kaq, për të është e papranueshme që bashkëshortja e një futbollisti të kombëtares të mund të flasë për futbollin apo të sugjerojë se çfarë duhet bërë kur nuk ka njohuri për këtë lojë.
“Është e papranueshme që gratë e lojtarëve të flasin për futbollin, taktikën dhe të sugjerojnë se cili futbollist duhet të luajë e cili jo. Kjo nuk shkon, me gjithë respektin që kam për partneret e lojtarëve. Nëse ata kanë vendosur të mos komunikojnë me gazetarët, nuk duhet të flasë askush tjetër. Ata që stërviten,  grumbullohen dhe derdhin djersë janë futbollistët, ndërsa atyre që kanë vendosur të martohen me ta, u uroj të jenë të lumtura”, tha ai.
I pyetur në ecurinë e Argjentinës në eliminatoret e Botërorit, 55-vjeçari u shpreh i bindur se përfaqësuesja “albiceleste” do të jetë në Rusi. “Do të shkojmë në Rusi pa asnjë problem. Botërori pa Argjentinën do të ishte shumë i mërzitshëm. Sigurisht që paraqitjet si ajo me Brazilin janë të papranueshme, por kundër Kolumbisë u pa një skuadër tjetër. Nuk mjafton thjesht ta veshësh këtë fanellë për të fituar”, përfundoi Maradona.

Artikulli paraprakMirupafshim “El Clasico”
Artikulli tjetërNikki Haley, ambasadore amerikane për OKB-në?