Heqja e vizave për Kosovën, REL: BE do të vëzhgojë me kujdes zbatimin e procesit

Pavarësisht se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën hyri në fuqi më 1 janar, shteti duhet të vazhdojë të përmbushë kriteret për liberalizim, përderisa Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare do të vëzhgojnë me kujdes se si po zbatohet ky proces.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.

Sikurse edhe me shtetet e tjera të rajonit, që për një kohë të gjatë gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, Komisioni Evropian do të raportojë për gjendjen e zbatimit të liberalizimit të vizave në kuadër të raporteve nga Mekanizmat për suspendimin e liberalizimit të vizave.

Një burim diplomatik i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se ka kureshtje në mesin e shteteve anëtare për të parë se si do të shkojë zbatimi i këtij procesi në rastin e Kosovës. I njëjti burim tha se në çështjet kryesore, Kosova deri me tash ka pasur një performancë shumë të mirë, madje më të mirë sesa vendet të cilat para sajë kishin liberalizimin. Bëhet fjalë kryesisht për numrin e azilkërkueseve të pabazuar dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i pranuar personat që dëbohen nga shtetet e BE-së.

Pasi ka nisur zbatimi i vendimit për liberalizim, BE-ja do të monitorojë sidomos numrin e keqpërdorimeve të lëvizjes së lirë, me fokus të veçantë në qëndrimin përtej afatit të lejuar, angazhimin ilegal në tregun e punës dhe angazhimin në veprime kriminale.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

“Presim që Kosova edhe pas nisjes së liberalizimit të dëshmojë seriozitetin në përmbushjen e obligimeve”, tha burimi diplomatik i BE-së.

Prioritet i bllokut evropian për këtë vit do të jetë që Kosova dhe shtetet e tjera të rajonit, të bëjnë më shumë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave për qytetarët e vendeve të treta me politikën e vizave të BE-së.

“Ne kemi përsëritur disa herë, përfshirë edhe në takimet e nivelit më të lartë, se presim nga partnerët tanë në rajon që të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Besojmë se kjo është një kërkesë e arsyeshme, nëse ne ua kemi mundësuar lirinë e lëvizjes pa viza qytetarëve të rajonit”, tha një zyrtar i BE-së.

Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, disa për shkaqe politike e disa për arsye praktike siç është stimulimi i turizmit, ua mundësojnë ardhjen në territorin e tyre pa viza qytetarëve të disa vendeve për të cilat BE-ja aplikon regjimin e vizave.

Komisioni Evropian gjatë vitit 2023 kishte propozuar një varg ndryshimesh për të ruajtur më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për menaxhimin më efikas të imigrimit ilegal. Në këtë paketë ndryshimesh, mes tjerash KE-ja kishte propozuar edhe forcimin e Mekanizmat të suspendimit të liberalizimit të vizave për vendet, qytetarët e së cilëve mund të shkojnë në BE pa viza, dhe lehtësimin e kësaj mundësie.

Mekanizmat e suspendimit të liberalizimit të vizave ekzistojnë sipas rregullores së vitit 2018, por procesi është mjaft i ndërlikuar dhe e bën të shumë të vështirë suspendimin.

Për shembull, Holanda kishte nisur procedurën për suspendimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, por arsyetimin e Holandës, KE-ja e kishte konsideruar si të pabazuar.

Me propozimin e ri të KE-së, liberalizimi i vizave mund të suspendohet për një shtet edhe për shkak të mospërshtatjes së regjimit të vizave me regjimin e vizave të bllokut sa i përket shteteve të treta.

Sipas mekanizmave të tanishëm për suspendimin e vizave, ky proces mund të niset vetëm në disa raste specifike, si për shembull nëse ka rritje të menjëhershme dhe domethënëse të numrit të imigrantëve ilegalë apo rrezikut për sigurinë kombëtare.

Me propozimin që KE-ja ka bërë më herët gjatë javës, që arsye për suspendim të liberalizimit të jenë edhe “mospërshtatja e mjaftueshme me regjimin e vizave të BE-së, kërcënimet hibride dhe ekzistimi i dhënies së shtetësisë për investime shtetasve të vendeve të treta”.

Përshtatja me politikën e vizave të BE-së është bërë prioritet për vendet anëtare për shkak se është vlerësuar se kjo do të zvogëlojë mundësitë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të bëhet pikë transiti për imigrantët ilegalë që nisen drejt BE-së.

Burimet e BE-së në mënyrë të veçantë disa herë kanë përmendur Serbinë e cila ua kishte hequr vizat për vizita në Serbi shtetasve të vendeve si Kuba, Tunizia, Burundi, Rusia, Kina dhe disa vende tjera. Kjo kishte ndikuar që një numër i shtetasve të këtyre vendeve të shkonin në Serbi pa viza, më pas të kalonin në BE. Vetëm pas insistimit të bllokut evropian, Serbia kishte nisur të përshtatë regjimin e saj të vizave me atë të Brukselit.

Kërkesë për përshtatjen me regjimin e vizave të BE-së, blloku ka bërë edhe për shtete të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Edhe në raportin e fundit të KE-së për monitorimin e Mekanizmave për suspendimin e liberalizimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që u publikua tetorin e kaluar, u tha se të gjitha këto shtete duhet të bëjnë më shumë në përshtatjen e regjimit të vizave të BE-së.

“Raporti konkludon se të gjitha shtete duhet të bëjnë hapa të mëtejmë për t’u përshtatur me politikën e vizave të BE-së dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar aplikimet e pabazuara për azil. Përpjekje shtesë duhet të bëhen edhe për të parandaluar imigrimin ilegal si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u tha në raportin e KE-së.

Tani, edhe nga Kosova kërkohet që këtë vit të bëjë përparim në vendosjen e vizave për shtetasit e disa vendeve për të cilat blloku kërkon viza, sidomos për ato që paraqesin rrezik për migrim masiv drejt BE-së.

Në kriteret të cilat BE-ja do t’i vëzhgojë me kujdes në rastin e Kosovës përfshihet edhe respektimi i rregullave për udhëtim pa viza nga qytetarët e Kosovës, por për vlerësimi do të marrë kohë në mënyrë që të shikohen trendët. Megjithatë, nëse ka keqpërdorim masiv të liberalizimit, atëherë kjo mund të merret si element që shtetet anëtare mund të përdorin për të iniciuar suspendimin e liberalizimit të vizave.

Deri më tani, më së shumti keqpërdorime të liberalizimit të vizave, përkatësisht qëndrimit në shtete të Schengenit jashtë periudhës së lejuar apo kërkesat për azil, sipas të dhënave të BE-së, ka pasur nga shtetasit e Shqipërisë./ REL

Artikulli paraprakEfektet e mungesës së fuqisë punëtore, eksportuesit hedhin sytë nga India
Artikulli tjetërVITI I RI ME LECKAT E TË VJETRIT