Blendi Gonxhja në krye të Ministrisë së re, reagon Flutura Açka: Hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare!

Deputetja Flutura Açka ka reaguar në lidhje me emërimin e Blendi Gonxhes në krye të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.

Në një postim në rrjetet sociale, Açka u shpreh se vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim.

Ajo ka shtuar se ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare, ndërsa tha se shpreson që ky të mos jetë një vendim anti-shqiptar.

Postimi i plotë:

Hiq bimsë e mbill “pemën e dyzet frutave“

Për kulturën, këtë bankë të heshtur të rilindasve

“Pema e dyzet frutave” është shpikje e njëfarë Sam Van Aken, i cili pasi krasiti e krasiti e krasiti e krasiti një pemë, ia doli më në fund të kishte një trung frutor që prodhonte plot dyzet fruta të ndryshme.

M’u kujtua kjo pemë e kjo zeje krasitjesh me qëllim për të prodhuar më shumë e me larmi, kur dëgjova për emërimin e Blendi Gonxhes si ministër Edhe i Kulturës, duke e hequr ministren Margariti, e cila, ç’është e vërteta, e bëri me shumë devotshmëri rolin e bimsës në kulturën shqiptare.

Mjafton t’ju kujtoj:

Grabitjen e Butrintit

Shembjen e Tetrit Kombëtar

Procedurën antiligjore të kinse Teatrit të Ri Kombëtar

Cilësinë e rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Baletit

Operetën e rikonstruksionit të Muzeut Historik Kombëtar

Kishat shqiptare të rikonstruktuara në dy mandatet të cilat i kanë humbur nishanet shqiptare dhe kanë marrë pamje greke

Nuk ka përzierje vajuthull më të rrezikshme se sa të vësh në krye të Ministrisë së Kulturës ideatorin e pyllit orbital të Tiranës.

Projektet dhe postet nëpër të cilat ka kërcyer i zgjedhuri për ministrër i kulturës, janë banka të fshehura, të cilave zor iu bie radha për t’u kontrolluar, ngaqë kanë filluar të fosilizohen dhe zullumi është më i dukshëm tjetërkund.

Vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim, ose nga nevoja e ngutshme për ta shuar tërësisht edhe atë fije kulturë që merr frymë.

Ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare.

U hoq apo e hoqën Margaritin?

Gaboi apo fitoi Margariti?

U ndëshkua apo u shpërblye Margariti?

Do ta tregojë shpejt me detaje visoren dhe prapaskenat vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese mbi Butrintin.

Luz Zotin të mos jetë një vendim antishqiptar.

Artikulli paraprakMerr fund tradita shekullore, Koreja e Jugut e miraton ligjin që e ndalon tregtinë e mishit të qenit
Artikulli tjetërFOTO/ Prezantohet stema e re e Gjykatës Kushtetese