Qeveria firmos TEC-in helmues për Korçën

Kreu i Departamentit te Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, denoncoi nga Korça një projekt të qeverisë për ndërtimin e një TEC-i në fushën e Maliqit, për të cilin tha se nuk janë pyetur qytetarët. Malltezi tha se, qeveria e ka çuar projektligjin në Kuvend për shqyrtim, ndërkohë që nuk ka një impiant të përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që do çlirohen nga TEC-it. Ai renditi disa pika që sipas tij do të shkatërronin të mbjellat bujqësore.
“Së pari, humbja e tokës së bukës, së dyti, emetimi i gazrave të rrezikshëm ndotës, së treti, rreziku i produkteve bujqësore të të gjithë zonës së fushës së Korçës, që është fusha më e begatë. Janë të paktën 50 mln tonë hi që është gjithashtu mbetje e rrezikshme, që duhet trajtuar, ndërkohë Shqipëria nuk ka impiant për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme”, u shpreh Malltezi.
Jamarbër Malltezi ishte në Korçë në një takim me intelektualë të Shoqërisë Civile për çështjen e TEC-it të Maliqit që sipas drejtuesit të departamentit për çështje të mjedisit në PD, do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 288 hektarësh. Malltezi tha se projekti nuk është konsultuar me qytetarët. Sipas tij, ndërtimi i TEC-it në fushën e Maliqit përkthehet në shkatërrim mjedisor për zonën, humbjen e dhjetëra ha tokë bujqësore, dhe emetim të tonelatave mbetje të rrezikshme.

Artikulli paraprakVrasja në Fier, makina tradhton mikun e viktimës
Artikulli tjetërBanorët e Mbrostarit protestë para Gjykatës së Fierit për lirimin e protestuesit