Mashtroi dhe një herë dje para kamerave, kur tha se nuk është i dënuar nga gjykatat shqiptare. Njeriu i cili shikohet si simbol i servilizmit dhe nga kolegët e tij brenda PS-së, Taulant Balla është një i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Tiranë, në 6 korrik të vitit 2015 (kur rilindja kish dy vjet që kish marrë pushtetin) për shpifje në shumën e 10 milionëve lekëve për akuzat që ka hedhur ndaj shtetasit Shkëlzen Berisha, për lidhjet e tij me kompaninë Austrian Lottery. Deri më tani, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, Taulant Balla, i cili pas ardhjes së rilindjes në pushtet shquhet për mondanitetin, orët e shtrenjta stilin bizarre të jetës apo udhëtimet e shpeshta për të parë skuadrën e tij të zemrës (megjithëse i vetmi profesion i tij ka qenë deputetllëku) ende nuk ka paguar faturën që i detyrohet paditësit dhe shtetit për çështjen që ka humbur.
Debati
Edi Rama e vendosi në krye të Komisionit Hetimor për ÇEZ, si njeriun e tij të besuar. Duke pasur besim tek talenti i Taulantit dhe besnikëria e tij, ai u mundua që me anë të këtij Komisioni Hetimor, e vetë Edi Ramës dhe enturazhit të tij, kërkoi që të mbulonte me anë të propagandës së Taulant Ballës një nga megaaferat korruptive që i kanë shkaktuar një dëm shqiptarëve prej 550 milionë euro. Por pa menduar se në krye të tij po vendoste një person, i cili jo vetëm që ka perceptimin publik si shpifës, por e vërtetuar dhe me vendim gjykate. Në fakt, ishte deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili i kujtoi Taulant Ballës se pozicioni i tij është në konflikt interesi pikërisht për vendimin e pazbatuar të gjykatës, në një Komision Hetimor, ku ishte thirrur për të dëshmuar ish-Kryeministri Sali Berisha. Përgjigja e Ballës ishte se ai nuk ka asnjë dënim, por me sa duket ka harruar vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit. Një vendim, që vërteton se veç orëve të shtrenjta, makinave dhe stilit mondan të jetës, Taulant Balla ka dhe një pasion tjetër, atë të shpifjes.
Vendimi dhe përfshirja e motrës
Në korrik të vitit 2012, atëherë kur Rilindja ishte ende në opozitë dhe Taulant Balla dilte si vullnetar për të marrë përsipër çdo pisllëk që gatuhej në zyrat e Ramës, do të deklaronte se “Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha parakontratat. I them sot kompanisë “Australin Lottery”, që tender-komedia e Ridvan Bodes, nuk vlen, ndërsa licencën që kanë rënë dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve. Nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’ju merren një pronë publike, prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka rënë dakord Zeni në Austri”. Por jo vetëm kaq! Pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, deklarimet e Ballës jo vetëm që i mori era, por u vërtetua se një vit më vonë, motra e tij, Fjoralba Balla u angazhua në marketingun e kompanisë, dhe ka qenë drejtuese e projekteve sociale të Austrian Lottery, e njëjta kompani të cilën vëllai i saj e sulmonte se ishte nën hetim për korrupsion. Pra, vlen të theksohet, se vetë Balla ka vepruar si një gjobëvënës i rëndomtë, duke treguar gishtin tek të tjerët dhe duke përfituar nga e njëjta kompani.
Përgënjeshtrimi
Por nuk mbaron me kaq! Dhe në rast se Taulanti paguan detyrimin e tij ndaj shtetit, ka dhe një detyrim tjetër moral në bazë të vendimit të gjykatës. Eshtë i detyruar të përgënjeshtrojë deklaratat e tij në adresë të shtetasit të dëmtuar, gjë të cilën ai se ka bërë ende. Pra, mirë që nuk ka shlyer dëmshpërblimin monetar, por ska ndërrmarë asnjë hap dhe në dëmshpërblimin moral pra t’i kërkojë falje palës së dëmtuar. Në atë kohë, Balla u struk dhe nuk e komentoi vendimin e gjykatës, siç kish bërë deri në vitin 2013, ndërkohë që është një detyrim ligjor që ai duhet ta bëjë, jo vetëm si deputet, por dhe në respekt të zgjedhësve të tij. Për t’i treguar atyre pra zgjedhësve se ai nuk është një mashtrues ordiner që flet sapo i drejton shefi i tij telekomandën, siç bënte dje në komisionin që i kanë besuar për të hetuar aferën e Edi Ramës.
Enton DACI