Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku, në një deklaratë për mediat shprehet se “jetike për interesin e Opozitës dhe të shqiptarëve është që Parlamenti t’i japë përgjigje tre prioriteteve madhore që mundesojne ndryshimin e madh që kërkon çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi”.
Sipas deputetit të PD, “Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik janë sfida që dhembin, por sfida që pa i përballur, politika në Shqipëri do të rrëshqasë dhe më keq në moçalin e degradimit”.
Më poshtë deklarata e nënkryetarit të PD, Kreshnik Çollaku
Përtej zhurmës logorike pa asnjë thelb të vërtetë politik, jetike për interesin e Opozitës dhe të shqiptarëve është që Parlamenti t’i japë përgjigje tre prioriteteve madhore që mundesojne ndryshimin e madh që kërkon çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi: Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik.
Këto janë sfida që dhembin, por sfida që pa i përballur, politika në Shqipëri do të rrëshqasë dhe më keq në moçalin e degradimit.
Çdo shfaqje e potershme në Parlament që nuk ballafaqon këto prioritete është tradhti ndaj interesit publik dhe dëm që i bëhet vendit.
Nëse Rama me socialistët dhe Berisha me rithemelimin, do ta vazhdojnë lojën e tyre në Parlament, nga sot ka vetëm një arsye. Asnjëra nga këto palë nuk janë të interesuara për lista të hapura, votë të emigrantëve dhe veting të politikës, dhe interesi i vetëm është zgjatja e agonisë dhe statuquosë së moçalit politik 30-vjeçar në Shqipëri.