Revolta kundër plehrave shpërthen edhe në Elbasan. Një organizim, “Të rinjtë kundër plehrave” i krijuar rishtas si përfaqësues të Shoqërisë Civile në Elbasan, kanë iniciuar dje kundërshtimin e ndërtimit të inceretorit të djegies së mbeturinave në këtë qytet. Në një deklaratë për shtyp ata u shprehën se, grupimi ka për qëllim që të sensibilizojë qytetarët e Elbasanit për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave në këtë qytet. Sipas tyre, ndërtimi i inceretorit në një zonë të populluar dhe ku mungon transparenca e plotë nënkupton se për qytetarët e Elbasanit po krijohet një vatër e re e helmit nga plehrat.
Të rinjtë shprehen se, kanë përshëndetur lëvizjen e fushës së vjetër të plehrave. Por sipas tyre, kjo nuk e justifikon që nga një tym kancerogjen që dilte në gjendje të lirë, që kalon një formë më të sofistikuar, në një tym të kontrolluar që del në oxhak.
Kjo, sipas tyre, është ndotja e sofistikuar që pret banorët e këtij qyteti, që kanë vuajtur për dekada me radhë tymin e Metalurgjikut, por që është akoma më i rrezikshëm se tymi i oxhaqeve të tij. Grupimi ka paralajmëruar një valë protestash e para e të cilave do të zhvillohet më 3 dhjetor para Prefekturës Elbasan, ku pritet të mbështetet pasivisht nga qytetarët elbasanas.
Bëhet e ditur se, qindra qytetarë janë solidarizuar me inciativën e të rinjve për të protestuar kundër fabrikës së djegies së plehrave. Mjaft qytetarë kanë shpërthyer kundër qeverisë në rrjetet sociale dhe janë shprehur kundër ndërtimit të fabriëks së djegies së plehrave. Njëri prej tyre shkruan se, lajmi për organizim protestash kundër ndërtimit të fabrikës së djegieve të plehrave në Elbasan është një nga gjërat më të bukura. “Në fakt, ky trend ka përfshirë, së fundmi, gjithë hapësirën territoriale të Republikës sonë farfuritëse, por në këtë copëz hartë goxha të madhe të Shqipërisë së Mesme, ndriçon fort. Ka shumë për të thënë mbi temën, por mjafton numri dyfish i kancerozëve mbi mesataren e qyteteve të tjera që prej viteve ’70-të të shekullit të kaluar, për të shtypur butonin e një sirene papushim. Të pakten, derisa banorët elbasanas, para se të mbyllin “derën e rrugës” pas vetes e të mos i shohë kush, të mendojnë për shëndetin e fëmijëve te tyre, ashtu siç deri tani nuk kanë menduar për veten”, shkruan ai.
Koncentrimi i ndotjes nga djegia e plehrave është më e rrezikshme edhe pse është më larg qytetit, në rajonin e metalurgjisë. Nëse para 25 vjetësh rajoni i Elbasanit kishte një ndotje nga tymërat që lëshonin oxhaqet e Metalurgjisë që nxiu jetën e popullit, tashmë një lloj ndotje tjetër po shoqëron Elbasanin. Ajo është një ndotje e klasifikuar me doza të mëdha helmesh që do të riciklojë atë problem madhor që ka popullata e këtij rajoni me sëmundjet kancerogjene. Është provuar se, sëmundjet profesionale që ishin në një nivel shumë të lartë para vitit 1990, ato nuk patën asnjë trajtim të specializuar nga organe shëndetësore, duke çuar në një situatë të shtimit të vdekjeve nga kanceri, më e larta kjo jo vetëm në Shqipëri për numër të popullsisë.
Ai që quhet depistim i të gjithë të regjistruarve me sëmundje profesionale apo siç quhet ndryshe në gjuhën popullore lehtësim të të prekurve nga këto sëmundje përmes analizave dhe trajtimit të specializuar, asnjëherë nuk u bë. Fenolet dhe cianuret në gjakun e punëtorëve të Metalurgjisë që u konstatuan me sëmundje profesionale, dosjet e të cilëve ishin rreth 2500 dhe që asnjëherë nuk u bënë publike, por mbaheshin sekret për të mos përhapur panik, patën efekte trashëguese në familjet e këtyre të prekurve gjë që vdekjet kanë qenë relativisht në moshë të mesme dhe që konstatoheshin nga sëmundjet që ata kishin nga puna në Metalurgji në sektorë të ndryshëm me gjendje të lartë helmi. Në këto kushte kur nuk kemi asnjë trajtim të të gjithë atyre të skeduarve me sëmundje vdekjeprurëse dhe kur nuk ka asnjë mjek për sëmundjet profesionale, gjendja është trishtuese, sepse rikthimi i djegjes së plehrave me koncentrim të lartë të helmeve që hidhen në atmosferë do të rikthejë edhe sëmundjet profesionale apo kancerogjene tek ata që janë më të ndjeshëm ndaj këtij realiteti.