Debat mbi lirinë e shprehjes në universitetet amerikane, VOA: Republikanët shqyrtojnë mundësinë e hetimit të institucioneve

Liria e shprehjes është një e drejtë kushtetuese në Shtetet e Bashkuara, por ajo parashikon vetëm mbrojtjen nga masat e qeverisë. Platformat e mediave sociale, bizneset dhe shkollat private mund të krijojnë rregullat e veta, që mund të kufizojnë lloje të caktuara të shprehjes. Dorëheqja e presidenteve të disa universiteteve të njohura ka nxitur një debat mbi rregullat për fjalën e lirë në universitetet amerikane.

Presidentet e Universiteteve të Harvardit dhe Pensilvanisë së fundmi dhanë dorëheqjen pas pikëpyetjeve të ngritura mbi reagimin e universiteteve ndaj antisemitizmit nën udhëheqjen e tyre gjatë një dëshmie në Kongres muajin e kaluar.

“A përbën shkelje të rregullave të Harvardit kundër bullizmit dhe ngacmimit thirrja për gjenocid ndaj hebrenjve? Përgjigjuni me po ose jo”, pyeti ligjvënësja republikane Elise Stefanik.

“Mund të jetë, në varësi të kontekstit”, u përgjigj ish presidentja e Universitetit të Harvardit Claudine Gay.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fdebat mbi lirine e shprehjes ne universitetet amerikane voa republikanet shqyrtojne mundesine e hetimit te institucioneve%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

“Nuk varet nga konteksti. Përgjigja është po dhe për këtë arsye ju duhet të jepni dorëheqjen”, tha ligjvënësja Stefanik.

Claudine Gay më vonë dha dorëheqjen, por në përgjigje të akuzave për plagjiaturë, të cilat ajo i ka mohuar.

Ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve tani po shqyrtojnë mundësinë e hetimit të më shumë universiteteve amerikane, jo vetëm për politikat e tyre kundër antisemitizmit.

Duke marrë parasysh konfliktet kulturore dhe ndasitë politike në Shtetet e Bashkuara, analistët e çështjeve të lirisë së shprehjes thonë se çështjet si aborti dhe raca janë bërë shumë të debatueshme në mjediset e universiteteve.

“Shumë grupe drejtuesish kanë pikëpamje politike të majta. Shumë organizata studentore në universitete kanë prirje të kenë pikëpamje të majta ekstreme. Kështu që kur studentët shprehin mendime që nuk janë në një linjë me këto pikëpamje, veçanërisht për çështjet si barazia dhe nismat gjithëpërfshirëse, ne po shohim një kufizim të pikëpamjeve të ndryshme”, thotë Alex Morey nga Fondacioni për të Drejtat Individuale.

“Disa profesorë detyrohen të largohen ose pushohen nga puna. Ata e kanë të vështirë të bëjnë studime në këtë mjedis kufizues dhe shumë prej tyre japin dorëheqje”, thotë David Keating nga Instituti i Lirisë së Shprehjes.

Por mes përpjekjeve të konservatorëve për reforma më të gjera dhe më të thella arsimore, organizata jofitimprurëse “Pen America” paralajmëron se ndryshimet e mirëfillta për mbrojtjen e lirisë së shprehjes duhet të vijnë nga vetë institucionet arsimore.

“Për ne është shqetësuese kur shohim politikanë, të cilët përpiqen të bëjnë këto reforma, siç ka ndodhur me miratimin e disa ligjeve, si ato që krijojnë kufizime mbi atë që mund ose nuk mund të mësohet në mjediset e shkollave”, thotë Kristen Shahverdian.

Përtej betejave politike, universitetet mund të marrin hapa për të nxitur kulturën e lirisë së shprehjes, thotë profesori i fakultetit juridik të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, Eugene Volokh.

“Mendoj se universitetet duhet të kenë më shumë diskutime dhe debate mbi çështjet si aborti, raca, të drejtat e transgjinorëve, imigracioni i ligjshëm dhe ai i paligjshëm”, thotë ai.

Ai thekson se këto aktivitete duhet t’ua mësojnë studentëve rëndësinë e angazhimit në debate mbi çështjet me të cilat ata mund të mos jenë dakord./ VOA

Artikulli paraprakVendos një gol në derbin ndaj Romës, Lazio “fluturon” në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë
Artikulli tjetërProceset në gjykatën e Tiranës, gjyqtarët të “mbytur” nga dosjet, 48 mijë vendime për një vit