“Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” është një sagë familjare dhe një nga librat autobiografikë më të bukur të shkruar ndonjëherë në historinë e letërsisë. Është historia e një fëmije që rritet në një qytet të ndarë nga lufta, siç Jeruzalemi i mesit të shekullit të kaluar, në një apartament të ngushtë, i mbytur përreth tij nga librat në gati dymbëdhjetë gjuhë dhe moria e po aq gjuhëve të folura nga njerëzit përreth tij, gjyshërit, prindërit dhe të afërmit.
Është historia e një adoleshenti, jeta e të cilit ndryshoi pas vetëvrasjes së të ëmës kur ai ishte një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar. Është historia e një burri, i cili jetoi mes kundërshtive të familjes dhe pirgut të ëndrrave të tij, mes shkollarëve dhe pasunarëve të rrënuar, një burri të rritur në kibic, i cili ndërron mbiemrin, e një burri që adhuron familjen, për të pohuar një aksiomë se “familja është institucioni më i mistershëm dhe më tërheqës në botë.” Është historia e një shkrimtari që bëhet pjesëtar aktiv në jetën politike të atdheut të tij e që ndalet të rrëfejë këtë histori tronditëse.
Dashuria dhe Errësira janë dy burime të fuqishme energjie që përshkojnë këtë rrëfim të jashtëzakonshëm. Amos Oz merr një rrugëtim letrar nëpër fëmijëri dhe adoleshencën e tij, përmes rrugëve të Jeruzalemit fatal, nëpër martesën e ferrit mes dy njerëzve krejt të ndryshëm, një babai nervoz dhe të arsyeshëm dhe një nëne romantike dhe ëndërrimtare. Gjahu mes këtyre dy botëve të ndryshme, është një djalë i vogël që do ta mbajë gjatë peshën e moshës në shpinë. Në rrëfimin e Oz parakalon jeta e një shekulli të tërë të familjes së tij, saga e dashuri-urrejtjes me Evropën, cinizmi i dashuri-urrejtjes me arabët.
Pak nga jeta e autorit:
Amoz Oz ishte një shkrimtar, romancier, gazetar dhe intelektual izraelit. Ai u lind më 4 Maj 1939 dhe vdiq më 28 Dhjetor 2018.
Ai ishte gjithashtu profesor i letërsisë hebraike në Universitetin Ben-Gurion të Negevit. Nga viti 1967 e tutje, Oz ishte një avokat i shquar i një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Oz ishte autor i 40 librave, duke përfshirë romane, përmbledhje me tregime të shkurtra, libra për fëmijë dhe ese, dhe vepra e tij është botuar në 45 gjuhë, më shumë se ajo e çdo shkrimtari tjetër izraelit. Ai ishte fitues i shumë nderimeve dhe çmimeve, mes tyre Friedenspreis des Deutschen Buchhandels, Legjioni i Nderit të Francës, Çmimin e Izraelit, Çmimin Goethe, Çmimin Princi i Asturias në Letërsi, Çmimin Heinrich Heine dhe Franz Kafka.
Oz konsiderohet si një nga “shkrimtarët më pjellorë dhe intelektualët më të respektuar të Izraelit”, siç e kishte përshkruar “The New York Times” në një shkrim më herët.