Kryetari i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës ka denoncuar dje një rast skandaloz të favorizimit të deputetit Taulant Balla në Tiranë, ku një i afërmi i tij ndërton dy kate pa leje, dhe ndërkohë që qytetarët denoncojnë, askush nuk ndërhyn.
Ndërtesa është vetëm 100 metra larg Komisariatit Nr. 2, në zonën e “21 dhjetorit”. Banorët e zonës kanë lajmëruar e kanë denoncuar, por policia sapo ka vajtur në vend, është tërhequr me urdhra politikë.
“Planet që shihni pas meje janë pamjet e një ndërtimi pa leje, në shtetin e së zhdrejtës që ka vendosur Edi Rama dhe Erion Veliaj. Kjo ndërtesë ka lidhje me Taulant Ballën, deputetin e Partisë Socialiste, kushëriri i të cilit Mariglen Disha, ka bërë këtë ndërtim pa leje. Komisariati Nr. 2 ka tentuar të ndërhyjë për të rikthyer rendin dhe ligjin, por janë zbrapsur me urdhër politik, sepse policia e kapur nga Tahiri dhe nga Rama, nuk mund të veprojë kundër shefave të pushtetit, por vetëm ndaj qytetarëve të vobektë dhe të pambrojtur. Kjo është e vërteta në shtetin e së zhdrejtës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kjo është ajo që ndodh në çdo cep të kryeqytetit dhe vende të tjera, sepse askush nuk mund të dalë mbi bandën e pushtetit, sepse banda e pushtetit mund të ndëshkojë çdo të pamundur qoftë edhe për rregullimin e çative për qytetarët që nuk marrin leje tek ta, ose nëse nuk paguajnë nën dorë. Kjo është e papranueshme. Ky është denoncim i qytetarëve”, u shpreh Leonard Olli.
Pse gënjen ministrja?
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi dje se dhunimi i biznesmenit libanezo-amerikan, Faddi Mitri në shtator të këtij viti, nuk e përkeqëson klimën e biznesit në vend. Në një emision televiziv, ministrja Ekonomi deklaroi se dhunimi dhe largimi i biznesmenit Mitri është një rast i izoluar që nuk e rrezikon imazhin e Shqipërisë në botë. “Ngjarja që ndodhi në Shqipëri ka qenë e izoluar, ne kemi prezencë të shoqatave të ndryshme në Shqipëri. Shumë shoqata biznesi u distancuan, pasi ishte diçka individuale”. Pretendimi i ministres Ekonomi nuk është i vërtetë.
Banka Botërore, një ndër institucionet financiare më të rëndësishme në botë, e ka dënuar ashpër dhunën ndaj biznesmenit dhe i rekomandoi institucioneve të marrin masa për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Më 29 shtator Tahseen Sayed, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, deklaroi: “Incidenti me biznesmenin libanez është një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të marrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit. Përmirësimi i klimës së investimeve dhe të biznesit është thelbësor për të zhvilluar konkurrencën”. Banka Botërore harton disa nga raportet më të rëndësishme për ekonominë dhe biznesin, ndër të tjera raportin e përvitshëm Doing Business, ku Shqipëria këtë vit, renditej mes tri vendeve të fundit të rajonit.