Taulant Balla është në një konflikt të hapur interesi. Ai nuk do të mund të drejtojë seancën e dëshmisë së ish-Kryeministrit Berisha në lidhje me CEZ, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit ka marrë formën e prerë, duke e dënuar atë me 1 milion lekë gjobë për shpifje ndaj djalit të ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha. Nënkryetari i Komisionit, Arben Ristani kërkoi largimin nga kreu i këtij Komisioni të Taulant Ballës, pasi sipas tij ishte në konflikt interesi. Ai citoi Nenin 17 të Kodit të Procedurës Penale. “Ju nuk mund të drejtoni komisionin për konflikt interesi. Jeni dënuar për shpifje ndaj familjarëve të ish-kryeministrit”, tha Ristani.
Balla deklaroi dje para opinionit se nuk ekziston një vendim i tillë. Vetëm pak minuta, pasi mbledhja e Komisionit ishte ndërprerë, zyra e shtypit e ish-Kryeministrit bëri publik dokumentin e Gjykatës së Apelit që e dënonte deputetin Balla për shpifje ndaj djalit të ish-Kryeministrit. Pyetja që shtrohet është se përse i duhej Ballës që të mashtronte. Balla ishte i detyruar që të mashtronte për shkak se ai e di se ligji për konfliktin e interesit nuk e lejon të drejtojë një seancë të këtij komisioni ndaj ish-Kryeministrit. Tani që dokumenti është bërë publik, Ballës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të lëshojë drejtimin e karriges së Kryetarit të Komisionit Hetimor në rastin kur do të vijë si dëshmitar ish-Kryeministri Berisha.
Berisha: Rama meriton të kalbet në burg për aferën me CEZ
Ish-Kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat deklaroi se fajtori kryesor për humbjen e 630 milionë eurove është Edi Rama dhe ministri i tij Damian Gjiknuri, për të cilët siç tha Berisha, të dy këta mund të dënohen deri në 35 vjet burg. “Kam qenë shumë i interesuar për CEZ-in. Edi Rama me atë vjedhje monstruoze që ka bërë me Gjiknurin, meriton të kalbet 35 vjet në burg pa ndërprerje. Ata për t’i shpëtuar asaj ngritën këtë komision. Unë për t’i hapur rrugën këtij procesi, pasi dosja e CEZ-it rëndon të paktën 35 vjet birucë për Damianin dhe Edi Ramën, pasi janë vjedhur 630 mln euro bashkë me Edi Ramën”. Në lidhje me debatin e zhvilluar në komisionin e ngritur për këtë qëllim, dhe të drejtuar nga Taulant Balla, ish-Kryministri tha se, do presë vendimet e shërbimeve juridike të Kuvendit, por vendimi ku Balla është dënuar si shpifës duhet të lexohet para mediave. Nga ana e tij, ish-Kryeministri tha se çdo deputet është i detyruar të vijë në Komisionin Hetimor parlamentar, por fakti që Balla mohoi një vendim gjykate e intimidon së tepërmi këtë proces. Sipas Kryeministrit për Ballën ka akuza të tjera, të cilat janë në hetim e sipër. “Çdo deputet është i detyruar dhe duhet të vijë. Në qoftë se nuk vjen prish një institucion. Do të vijë. Absolutisht. Do të pranoj vendimin e Parlamentit, por do të lexojë vendimin e formës së prerë. Edhe për konfliktin e interesit unë thashë se do ta vazhdonim këtë seancë. Mirëpo, ai tha se nuk ishte dënuar. Ky është i pafytyrë. Një njeri i dënuar që në vend të shkojë të vejë gjobën dhe të vërë maskën dhe të thotë se nuk ishte dënuar, atëherë ky është tejkalim i çdo niveli. Do shprehen shërbimet juridike të Kuvendit për këtë dhe do të lexohet para mediave vendimi i gjykatës, ku Balla është dënuar si shpifës ordiner. Është vendimi i Gjykatës së Apelit. Ka akuza të tjera të rënda, të cilat janë në hetim e sipër”. Pyetjes nëse Edi Rama do të paraqitet në Komisionin Hetimor parlamentar Berisha iu përgjigj shkurt dhe prerë: “Do të vijë edhe me një këmbë madje”. Çështja e shitjes së CEZ mendohet të jetë një nga aferat më të mëdha të ndodhura ndonjëherë. Nga marrëveshja e qeverisë me kompaninë, mendohet të jenë humbur më shumë se 600 milionë euro, të cilat shteti shqiptar i kishte të fituara në rast se çështja do të gjykohej në arbitrazh.
Debati në komision, Ristani kërkon dorëheqjen e Ballës
Ristani: Jeni në kushte të konflitit të interesit.
Balla: Mbledhjen e drejtoj unë. Unë nuk kam asnjë vendim gjykate të humbur. Bini vendimet e gjykatës.
Berisha: Mashtrim.Do sjell vendimet e gjykatave.
Balla: Silli, të bëjmë punën parlamentare njëherë.
Berisha: Është i dënuar me vendim të prerë.
Balla: Nuk ka asnjë vendim gjykate.
Berisha: Mos gënje. Je i dënuar dhe nuk ke paguar gjobë.
Balla: Nuk kam asnjë gjobë unë.
Ristani: Ka një problem, nuk mund të vazhdojë seanca kështu.
Ndreu: Berisha është dëshmitar, nuk është i pandehur.
Manja: Ftoj kolegët të jemi racionalë.
Ristani: Zbato Kodin e Proçedurës Penale. Paraqitni dorëheqjen kryetarit të Parlamentit.
Balla: Zoti dëshmitar të tërheq vëmendjen, po të them fjalën ta jap unë.
Berisha: I cili është një mashtrues ordiner.
Balla: Je i vetmi njeri në këtë botë që nuk më provokon fare.
Berisha: Nuk e kam atë qëllim. Çështja është këtu, je i dënuar?
Balla: Nuk jam fare.