Një gjykatë në Bruksel shpalli fajtorë tre serbë për vrasjen e veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri, 26 vjet më parë. Gjykimi u zhvillua në mungesë.
Gjykata shpalli fajtorë: Bozhidar Spasiqin, ish-shef i operacioneve të posaçme të policisë sekrete jugosllave, të njohur si UDB, dhe dy persona të tjerë, që njihen si pjesë e nëntokës serbe, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq.
Gjykata në vendimin e saj shpalli fajtorë të tre personat dhe i dënoi ata me burgim të përjetshëm.
Lajmin e bëri të ditur edhe familja Hadri, përmes postës elektronike që e motra, Tetuta, ua ka dërguar mediave.
Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.
Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.
Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Dy të dyshuar të tjerë për pjesëmarrje në vrasjen e tij, Andrija Lakoniq dhe Darko Ashanin, u vranë në Serbi gjatë viteve të 90-ta.
Bozhidar Spasiq, që besohet të ketë organizuar vrasjen e zotit Hadri, ishte pjesë e UDB-së që nga viti 1979 e deri më 1993.
Andrija Drashkoviq, i njohur për përfshirje në vrasje dhe veprime kriminale në Serbi, u dënua më 2010 në Beograd me 10 vjet heqje lirie për një vrasje, por u lirua tre vjet më pas.
Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav.