Reforma zgjedhore është në interes të opozitës, bojkoti në interes të Ramës

Nga Ervis Iljazaj

Ka një zakon shumë të dëmshëm për demokracinë e Shqipërisë në këto 33 vite pluralizëm. Reforma zgjedhore, ligji më i rëndësishëm për një demokraci, miratohet shumë afër zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë që ky ligj, duhet të miratohet kohë më parë se data e zgjedhjeve për dy arsye kryesore.

E para sepse votimit të tij duhet ti paraprijë një diskutim i gjerë me aktorët dhe faktorët politike apo me ekspertë të kësaj fushe me qëllim që ajo të jetë sa më gjithëpërfshirëse , demokratike dhe transparente. Dhe jo të aprovohet natën për interes të aktorëve politikë, siç ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Me e famshmja reformë në këtë aspekt është ajo kushtetuese e vitit 2008, që përfshinte dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor e cila solli ato pasoja që po i vuajmë edhe sot.

E dyta sepse aktorët politik, forca politike të vjetra dhe të reja , duhet të jenë të përgatitura shumë kohë më parë se me çfarë rregullash loje po futen në garën politike të radhës.

Problemi qëndron, se në zgjedhjet e ardhshme rrezikojmë të futemi pa një reformë zgjedhore, ashtu siç duken gjasat. I interesuari i pari që ligji zgjedhor të mos ndryshojë është qeveria dhe Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë e di fare mirë se më këtë sistem zgjedhor e ka më të lehtë për të fituar dhe më të lehtë për të mbajtur nën kontroll pushtetin e tij politik. Këtë gjë e bëri të qartë në konferencën për shtyp nga Lezha. Duke nxjerrë si alibi përçarjen dhe situatën e opozitës, e tregoi qartë se Reforma Zgjedhore me shumë mundësi nuk do të bëhet. Dhe këtë qëllim të tij e ndihmon dhe situata jurdike ku ndodhet sot Partia Demokratike.

Në këtë kuptim, e vetmja e interesuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor është opozita, cdo faktor i saj. Interes që shkon edhe në interes të Shqipërisë dhe demokracisë së saj. Prandaj bojktoi i kësaj reforme i intereson vetëm Edi Ramës.

Opozita shqiptare duhet të bëjë të pamundurën që Komisioni i Reformës Zgjedhore të fillojë punë sa më parë. Çdo bojkot i saj vetëm sa rrit shanset e pushtetit dhe komoditetit të tij. Mirëpo për ta bërë këtë , opozita shqiptare duhet të dalë nga komplekset absurde se po të ulesh në një tryezë me qeverinë nuk je opozitë , apo se po bashkëpunon me Edi Ramën. E gjithë retorika absurde dhe kompleksi që ka krijuar ajo, se po të votosh ligjet që voton dhe qeveria është në dëm të opozitës, duhet të marrë fund.

Sjellja e kundërt, opozitarizmi bosh pa ide, pa përpjekje reale dhe pa produkt, është pikërisht të mos jesh opozitë dhe të të mos kesh në fokus problemet e vërteta të Shqipërisë.

Prandaj opozita shqiptare, Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë kompleks të ulet me qeverinë dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore , pasi ky ligj është një interes madhor për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Në të kundërt, nëse vazhdon me absurditete politike për të treguar medemek se është ‘’opozitë e vërtetë’’ dhe për këtë arsye nuk ulet në asnjë mënyrë me qeverinë, nuk bënë gjë tjetër veçse bien ë kurthin ku Edi Rama nga ngritur prej kohësh për opozitën. Të jesh ‘’opozitë e vërtetë’’, është pikërisht e kundërta. Të arrish të ndryshosh sistemin zgjedhor aktual shqiptar, i cili është një nga arsyet e personalizmit të pushtetit politik dhe rritjes së autokracisë në Shqipëri.

Artikulli paraprakI shoqëruar nga avokati, Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet sërish për t’u marrë në pyetje në SPAK
Artikulli tjetërArtan Hoxha: Boom-i i ndërtimit në kryeqytet ka burim narkotrafikun dhe korrupsionin