“Përçmimi”, aty ku vdes dashuria

Namir Lapardhaja

(Shënime për romanin “Përçmimi” të shkrimtarit Alberto Moravia)

Nga Namir Lapardhaja

Kur nis e lexon romanin “Përçmimi” të Moravisë e ke të vështirë ta heqësh nga dora pa përfunduar faqen e fundit. Vepra të ka përfshirë të gjithin, sepse je futur në një oqean të pafundm leximesh dhe interpretimesh për letërsinë e madhe, njëkohësisht nëpërmjet një “grepi” të padukshëm autori të ka bërë pa e kuptuar pjesëmarrës në fabulën e tij. 

“Penelopa e përçmon Uliksin, sepse nuk ka vepruar si burrë, si bashkëshort dhe si mbret kundër pafytyrësisë së mëtuesve… Ky përçmim shkakton nisjen e Uliksit për në luftën e Trojës… Uliksi, duke e ditur se në shtëpi e pret një grua që e përçmon, në mënyrë të pavetëdijshme e vonon sa mundet kthimin aty… Për të rifituar respektin dhe dashurinë e Penelopës, Uliksi vret mëtuesit…”

Reingoldi, regjisori që është thirrur nga producenti Batista, për të bërë një film për Odisenë, e interpreton kështu personazhin homerik që është larguar nga Itaka për në luftën e Trojës, ndërkohë që në shtëpi e pret bashkëshortja, Penelopa, e cila end në avlëmend, në pritje të vendosur për të mos rënë pre e ngacmimeve dhe joshësve.

Fragmenti i shkëputur është një bisedë mes tij dhe skenaristit të filmit, Rikardo Moltenit, rrëfimtar dhe personazh kryesor. Diskutimi mes tij dhe regjisorit, që përfshin një pjesë të konsiderueshme të romanit, në thelb, ka të bëjë me atë nëse “Odiseja” është një rrëfim për aventurat e Odisesë, një poemë për ndershmërinë bashkëshortore, apo një pritje e gjatë e gruas si ndëshkim ndaj burrit që vonon të kthehet në shtëpi edhe pas përfundimit të luftës. Regjisori dëshiron të nxjerr një film psikologjik, që gjen shpjegimin vetëm ndëpërmjet teorive frojdiste, ndërkohë producenti kërkon një film ku të mbizotërojë aventura. Nëpërmjet diskutimeve dhe ideve të personazheve, Moravia nuk bën gjë tjetër vetëm se përcjell mendimet e veta për letërsinë, artin, filmin, neorealizmin, jetën, moralin etj.

Përfshirja në subjekt dhe diskutimet për “Odisenë” e Homerit jepen në sfondin e ngjarjes për të cilën flet romani. Molteni dhe Emilia janë burrë e grua. I pari dramaturg në profesion, në ëndrrat e tij dëshiron të bëjë punë të vlefshme, mirëpo, për shkak të vështirësive ekonomike (sapo ka blerë një shtëpi), i duhet të punojë si skenarist i rëndomtë filmash, kurse e shoqja, ish-daktilografiste, me pak kulturë dhe nga një familje modeste, e dashuruar pas të shoqit dhe shtëpisë së re. Kjo dashuri zgjat vetëm dy vjet.  Në krye të tyre, burri zbulon se gruaja nuk e dashuron më.

Këtu fillon rrëfimi i ngjarjes në vepër. Sikurse Odiseja që endet Mesdheut, rrëfimtari rreket me vendosmëri të habitshme të zbulojë se pse bashkëshortja e tij nuk e dashuron. Madje, më shumë se kaq: ajo e urren, e përçmon. Kemi një roman që fillon me pasojën (në faqen e parë tregohet dyshimi dhe mungesa e dashurisë) dhe nëpërmjet retrospektivës, personazhi kryesor, që rrëfen në vetën e parë, rikthehet pas në kohë dhe tregon të gjithë historinë se si është arritur deri në momentin kulmor, kur bashkëshortja i ka thënë: “…Unë të përçmoj…ja çfarë ndiej për ty, ja pse s’të dua më…Të përçmoj dhe më vjen ndot sa herë që më prek…Ja, kjo është e vërteta…të përçmoj dhe më kall krupën.”

Fjalët e saj kanë ardhur pas një insistimi të gjatë nga Molteni. Ndërkohë, në vend që pas tyre të mbarojë gjithçka, ai nuk i jep fund lidhjes, duke vijuar në kërkimin e arsyeve të këtij përçmimi.

Subjekti i romanit komplikohet me interpretimet psikologjike dhe psikanalitike të personazheve, që lexojnë vetveten tek ngjarjet mitologjike. Vepra duket sikur tregon historinë e një burrit që e do të shoqen, por kjo dashuri nuk i kthehet me të njëjtën monedhë. Në fakt, ai është më shumë se kaq. Përveçse një lexim i ri për artin e madh, është një himn për dashurinë dhe familjen, një kambanë alarmi e bjerrjes së vlerave në shoqërinë moderne. Është një thirrje për ruajtjen e kësaj marrëdhënieje delikate në mënyrë të kujdesshme dhe të dyanshme. 

Tek historia e Penelopës dhe e Uliksit përsonazhet shohin të mishëruar veten. Sipas interpretimit në roman, Penelopa e përçmon Uliksin, sepse nuk ka vepruar si burrë, si bashkëshort, si mbret, ndaj atyre që e joshin dhe ngulmojnë për ta shtënë në dorë, ashtu sikurse Emilia e përçmon Moltenin, sepse ai nuk është treguar burrë, bashkëshort i vërtetë dhe i kujdesshëm, në momentin që asaj i është vardisur Batista, pikërisht në sytë e të shoqit, ndërsa ai nuk ka bërë kurrfarë përpjekjeje për ta penguar.

Nëpërmjet një rrëfimi të thjeshtë, që ngërthen një shumësi ngjarjesh dhe leximesh; fraze të zhveshur, por me një tension konstant dhe të vazhdueshëm; Alberto Moravia tek “Përçmimi” ka ndërtuar një narrativë mjeshtërore, që të bën për vete si bashkëpjesëmarrës, njëkohësisht të tregon për psikologjinë dhe jetën e zbrazët të shoqërisë së konsumit.

Artikulli paraprakShqipëria po zbrazet nga mjekët dhe infermierët, DW sjell rrëfimet e të rinjve që ikin drejt Gjermanisë
Artikulli tjetërEkspertit gjerman: Çfarë mesazhi i dërgoi SHBA, Serbisë për furnizimin e Kosovës me raketat “Javelin”