Eto’o, rrezikon 10 vjet burg

Tjetër episod i telenovelës së futbollistëve që rrezikojnë shumë pasi akuzohen për evazion fiskal. 10 vjet e gjysmë burg dhe 14 milionë euro gjobë. Është kjo kërkesa e akuzës për Samuel Eto’o dhe për ish-menaxherin e tij Josip Maria Mesalles. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “El Pais”. Ish-ylli i Barcelonës sipas akuzës ka evituar pagimin e taksave për një shumë prej 3.5 milionë eurosh nga viti 2006 deri më 2009, kur luante për klubin blaugrana.
Sipas burimeve që citon e përditshmja iberike, sulmuesi që ishte një ndër protagonistët e triumfit të trefishtë me Interin më 2010, akuzohet për katër vepra penale, mes të cilave menaxhimi gjatë periudhës 2006-2009 i të drejtave të imazhit duke mos derdhur detyrimet në organet tatimore. Sulmuesi merrte nga Puma 1.5 deri në 3 milionë euro në sezon, por evitonte detyrimet ndaj organeve fiskale spanjolle, duke simuluar shitjen e të drejtave për dy shoqëri fiktive të krijuara enkas për këtë rast, spanjolles Bulte 2002 dhe asaj me seli në Hungari Tradesport. Në bazë të ligjeve spanjolle kuota e taksimit që duhet të paguajë një shoqëri është më e vogël se ajo për një individ dhe gjykatësit këmbëngulin se të drejtat e imazhit ishin në pronësi të Eto’o. Vetë futbollisti fajëson menaxherin e tij deri më 2011, Mesalles, të cilin e ka denoncuar prej kohësh.
Kjo është e disata herë që kamerunasi akuzohet për mashtrim fiskal dhe kërkesa e Prokurorisë është shumë më e lartë se në rastet e ngjashme për futbollistë të tjerë, pasi Eto’o nuk ka kthyer asnjë shumë deri më tani, që pas akuzave të para që ju bënë më 2012. Mes lojtarëve të tjerë që kanë luajtur apo luajnë për Barcelonën akuza të tilla janë bërë edhe në ngarkim të Mascheranos, Messit dhe së fundmi Neymar për të cilin u kërkuan dy vjet burgim në lidhje me çështjen e transferimit nga Santos te blaugranat.

Artikulli paraprakBerluskoni do rimarrë Milanin
Artikulli tjetërMurinjo konfirmon qëndrimin e Ibrahimoviç