Një komedi për… të qarë

Nga Agim Baçi

Në komedinë italiane, “L’Ora Legale”, historia është ndërtuar rreth zgjedhjes së një njeriu të ndershëm në krye të bashkisë në Pietramare, një Siçili. Por ajo që vjen si ndryshim i dëshiruar gjatë fushatës, duke votuar një njeri të ndershëm, që do të rivendosë ligjin, nis e kthehet shpejt në problem për të gjithë ata që thjesht janë ankuar për të keqen, që janë ankuar për kryebashkiakun e korruptuar Patane, që ishin ankuar për shkeljen e ligjit. Si për ironi, shumë nga ata që janë ankuar del se nuk janë gati të bëjnë asnjë hap për të jetuar në mënyrë të ndershme dhe për të respektuar ligjin. 

Dhe këtu nis paradoski i reagimeve të banorëve, duke arritur deri në protestën më kontraverse, por edhe më cinike për shoqëritë e sotme, duke na sjellë te një pyetje thelbësore- a jemi ne gati të ndryshojmë edhe vetë për të qenë njerëz që zbatojmë ligjin, që denoncojmë të keqen, apo e presim ndryshimin vetëm nga të tjerët, apo thjesht nga një njeri?

Madje, ironia për pafuqinë shoqërore për të pranuar ndryshimin arrin të hyj edhe brenda në kishë, teksa qytetarët po debatojnë për të gjëetur një rrugë për të ndaluar kryebashkiakun e ndershëm, pasi po u prish qetësinë qytetarëve duke mbajtur premtimet që ka bërë në fushatë, duke i konsideruar qytetarët si të barabartë përpara ligjit. Në kulmin e kësja iornie, një i deleguar i politikës nga Roma u kërkon llogari banorëve të Pietramares: “Çfarë ndodhi me ju jugorët? Ju keni ditur të zgjidhni gjithnjë të korruptuarit. Çfarë ju shkrepi në kokë të zgjidhnit këtë herë një të ndershëm? A e kemi luksin ne sot, me këtë krizë, ta kemi të përhapur njerëzit një fenomen me njerëz të ndershëm në të gjithë Italinë?”….

Madje, edhe vetë prifti që dëgjon “protesën” e të dërguarit të politikës nga Roma për “gabimin” në zgjedhjen e një të ndershmi si kryebashkiak, fshikullon me një sarkazëm edhe më lartë, teksa kujton zgjedhjen e judenjve kur guvernatori Ponc Pilati pyet se kë do të shpëtonin mes Jezu Krishtit dhe Barabas, ata zgjodhën të shpëtojnë Barabën, dhe prifti pyet: “Por, a gabuan vërtet me atë zgjedhje?!!!”

Filmi mbyllet me shkarkimin e kryebashkiakut të ndershëm dhe kthimin në detyrën e kryebashkiakut pikërisht personin e korruptuar dhe mafioz, që u rrëzua në zgjedhje plot entuziazëm pikërisht nga ata që flisnin për ndryshim, por që vetë nuk donin të aplikonin asgjë nga ajo e shkuar e korruptuar. 

Kjo mbyllje e filmit është domethënia e fortë për pafuqinë tonë si shoqëri për të përqafuar të ligjshmen, të ndershmen, të vërtetën, edhe pse duket sikur të gjithë ata që flasin janë pro zbatimit të ligjit, pro së drejtës. Rikthimi i kryebashkiakut mafioz Patane, po nga ata që e kishin akuzuar, është ironia e shoqërisë së sotme që nuk po gjen dot më rrugët për të mbështetur të ndershmin, që nuk është gati  të bëhet pjesë e një shoqërie që do zbatimin e ligjit, që do që ata që meritojnë të marrin në dorë fatet e vendit.

Kushdo që sheh komedinë “L’Ora Legale”, do mendojë se skenaristët e regjisorët kanë folur shumë për shoqërinë tonë shqiptare, që fatkeqësisht prej kohësh e duartroket të fortin, që e sheh me zili atë që shpërfill ligjin. Ky film është një ironi për këdo që bërtet në rrjete sociale kundër së keqes por nuk i bashkohet denoncimit kur ajo ndodh para syve të tyre, në lagjet e tyre, në shkollat e fëmijëve, në institucionet dhe ndërmarrjet ku janë në punë. 

Dhe kjo është ironia me jetën tonë, pasi të fortët, të korruptuarit, shkelësit e ligjit, vjedhësit, kanë pikërisht si garanci heshtjen tonë, mosrefuzimin e së keqes nga ne. Asnjë realitet politik, asnjë shoqëri, nuk ka ndryshuar pa kurajon qytetare për të refuzuar ata që i tallin, që i poshtërojnë e që krenohen se kanë vjedhur apo që kanë shkelur ligjin.

Ky ndryshim nuk është zgjidhur as duke ndërruar disa të fortë me disa të fortë të rinj e as duke u kthyer te e vjetra nga frika se nuk di se çfarë do vijë në të ardhmen. Kjo zgjidhet vetëm nëse shoqëria vendos të mos krenohet me atë që ka vjedhur, që ka shpërfillur ligjin, që ka graduar injorantin duke e vendosur në vend të diturit.

Ashtu siç thuhet edhe në librat e shenjtë se “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, për aq kohë sa ai nuk ndryshon vetveten!”.

Artikulli paraprakKLSH-së nuk i dalin llogaritë; Në thesarin e qeverisë janë gjetur 260 mln euro më shumë shpenzime se buxheti faktik 2022
Artikulli tjetër“Rrezikohet zi buke”, OKB thirrje ‘të dëshpëruar’: Të lejohet kalimi i mallrave komerciale në Gaza