Mos na krahasoni me Leisterin!

Pakkush e kishte imagjinuar që pas 13 javësh kampionat, Atalanta do të ishte në vendin e 5 në renditjen e Serisë A dhe vetëm 15 pikë larg asaj që për një ekip të tillë cilësohet si kuota e mbijetesës, 40 pikë. Në këtë ecuri mbresëlënëse ka lënë gjurmë edhe portieri i përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha, i cili me pritjet e tij shpeshherë ka ndihmuar Atalantën të arrijë rezultate të rëndësishme.
Tifozët kanë filluar të bëjnë që tani krahasim me ecurinë e Leisterit të një viti më parë, por gardiani shqiptar mendon se ka ende kohë para se të flitet për objektiva të tillë.
“Leister? Mund të cilësohet një krahasim normal, duke parë edhe periudhën që po kalojmë, por është ende herët. Nuk i vendosim vetes limite, por Bolonja dhe Juventus janë dy teste vendimtare për ne”, tha Berisha, i pranishëm sot në dyqanin zyrtar të klubit ky firmosi me dhjetëra autografe për tifozët e shumtë që kishin ardhur ta takonin.
“Është shumë shpejt të thuash, se cili mund të jetë objektivi ynë. Personalisht prisja të bëja një kampionat të mirë. Por kemi nevojë për teste të tjera që të tregojmë se jemi ekipi i fortë që u pa kundër Romës”, theksoi ai.
Berisha është kthyer menjëherë në një idhull për tifozët e Atalantës, por gardiani është i ndërgjegjshëm se situata mund të ndryshojë shumë shpejt nëse ekipi nuk vazhdon të shfaqet në të njëjtin nivel.
“Bergamo është një qytet i bukur dhe tifozët po na kalojnë një entuziazëm të pabesueshëm. Por brenda një apo dy javësh mund të ndryshojë gjithçka. Sportielo? Zgjedhjet i bën trajneri dhe ne duhet t’i respektojmë”, ishin fjalët e portierit të përfaqësueses shqiptare rreth rivalit të tij.

Artikulli paraprakBayern Munchen zhgënjen në Rusi
Artikulli tjetërBerisha shijon momentin pozitiv me fansat