E pritshme, Shqipëria humbet dy vende në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin e fundit, gjatë të cilit u mund 3-0 nga Izraeli në “Elbasan Arena” në sfidën që gjeneroi një lumë polemikash. Organizimi botëror i futbollit ka publikuar së fundmi klasifikimin e përditësuar ku kuqezinjtë renditen në vendin e 49, dy pozicionë më poshtë se një muaj më parë. Ndërkohë e njëjta ndeshje i ka shërbyer për një katapultim fantastik në këtë renditje Izraelit që ka ngjitur plot 25 vende në klasifikimin e FIFA-s, duke rezultuar kështu një ndër skuadrat me rritjen më të madhe për këtë muaj, pasi ka fituar falë fitores ndaj Shqipërisë plot 1163.03 pikë. Për t’u rikthyer te kuqezinjtë, renditja në vendin e 49 shënon edhe pozicionimin më të keq në vitin 2016 që skuadra e De Biasit e nisi në vendin e 38 në renditjen globale.
Për sa i përket kundërshtarëve të tjerë në grup, qëndron në status-quo Spanja që pavarësisht fitores 4-0 në nëntor ndaj Maqedonisë mbyll dhjetëshen e parë të skuadrave më të mira në botë, ndërsa kundërshtari ynë i radhës Italia, edhe pse mposhti me të njëjtin rezultat 4-0, skuadrën e fundit të grupit Lihtenshtejnin ka zbritur 3 pozicione, duke u renditur në vendin e 16. Maqedonia ka zbritur 7 shkallë, duke u pozicionuar e 162 në botë, ndërsa Lihtenshtejni gjendet në vendin e 189-të. Për sa i përket Kosovës, përfaqësuesja më e re e kontinentit ka humbur një vend në renditje pas humbjes që pësoi në “Antalya Arena” të Turqisë, duke u klasifikuar e 165 në botë në klasifikimin e FIFA-s.