Zëri i Amerikës: Tensionet në parlament, presidenti Begaj nuk mban dot fjalën

Në Shqipëri sesioni i ri parlamentar nisi edhe sot pasdite në një atmosferë tensioni në sallë ku një pjesë e deputetëve demokratë, që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha qëndruan në këmbë duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.

Në hapje të këtij sesioni ishte parashikuar dhe një fjalim i presidentit Bajram Begaj. Drejtuesja e seancës zonja Lindita Nikolla u kërkoi deputetëve të uleshin në vendet e tyre, ndërsa këta të fundit qëndronin me parulla kundër qeverisë në duar. Ata këmbëngulën që fillimisht të largoheshin punonjësit e gardës të rreshtuar përpara podiumit, dhe vijuan me protestën, ndërsa akuzuan presidentin se me praninë e tij, ishte vënë në shërbim të shumicës.

Situata e tensionuar e bëri të pamundur mbajtjen e fjalimit nga kreu i shtetit, i cili njoftoi se do ta lexonte më pas nga zyra e tij, mesazhin e përgatitur për t’iu drejtuar parlamentit.

Seanca e sotme u parapri nga një deklaratë e ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit europian Silvio Gonzato, i cili u kujtoi forcave politike se zbatimi i reformave që kërkohen në rrugën e integrimit europian kërkon “funksionimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve”.

Protestat e disa grupeve të opozitës kanë nisur që prej muajve të fundit të vitit të kaluar, për shkak të mohimit sipas tyre të së drejtës për ngritjen e komisioneve hetimore apo dhe mos marrjes në konsideratë të ndryshimeve që ata kanë kërkuar në përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore

Artikulli paraprakOSBE i përgjigjet letrës së Alibeajt dhe Gjiknurit për Zgjedhoren: Presim një parlament funksional për reformat
Artikulli tjetërKaosi në Kuvend/ analisti Mërtiri: Protestat bëhen kundër Bashës, jo Ramës