Nga Ervis Ijazaj
Sali Berisha dhe formacioni i tij politik ‘’ Rithemelimi’’ janë prej kohësh në një izolim total politik nga aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë. Kjo për faktin se lideri i kësaj lëvizje politike është i shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.
Aq e vërtetë është kjo, sa që në dy vite që ka filluar kjo lëvizje politike, Sali Berisha nuk ka arritur të zhvillojë dot asnjë takim ndërkombëtar edhe pse e konsideron vetën si kryetar të opozitës. Në dy vite , Berisha dhe Rithemelimi nuk ka takuar dot asnjë zyrtar amerikan, britanik apo europian. Madje, nuk ka arritur të takojë asnjë zyrtar dhe politikan të rajonit, qoftë edhe ndonjë lider të botës shqiptare. Me pak fjalë izolimi është aq i thëllë sa Berishën në këto dy vite nuk e ka takuar as ambasadori kosovar.
Ky izolim shpjegon faktin se përse pas arrestimit të tij, të cilin ai e quan burgosje politike të ‘’liderit të opozitës’’ nuk ka reaguar askush. Ka një heshtje totale për këtë arrestim. Me pak fjalë, aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë e kanë bërë të qartë , me tekst apo më nëntekst, se Sali Berisha dhe ‘’Rithemelimi’’ nuk mund të jenë më aleatë dhe interlekutorë të tyre politik.
Ky është fakt tashmë botërisht i njohur, edhe pse mbështetësit e tij në politikë apo në media bëjnë të pamundurën për ta shmangur nga diskutimet, apo e quajnë një gjë dytësore dhe të pavlefshme . Ndërkohë që izolimi dhe non-grata i Berishës, është thelbi politik i asaj çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në opozitën shqiptare. Kush nuk e kupton këtë, nuk ka kuptuar asgjë se çfarë po ndodh.
Nëse e gjitha kjo që ka ndodhur është e drejtë apo jo, ky është një diskutim tjetër. E drejta në politikë është subjektive, faktet janë ato që mbetën dhe mbi të cilat ndërtohen analizat.
Në këto kushte, kur Berisha dhe Rithemelimi janë non-grata nga aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë të cilët drejtojnë organizata ndërkombëtare të sigurisë, ku Shqipëria bënë pjesë dhe e ka të sanksionuar në Kushtetutë cedimin e sovraniteti në favor të këtyre organizatave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka të vështirë, pothuajse të pamundur të bashkëpunojë me një formacion të tillë politik.
Ditën e djeshme, Rithemelimi dhe disa deputetë të tjerë e akuzuan Presidentin e Republikës si ministër të propagandës së qeverisë, pasi pretendonin që ai të mos merrte pjesë në një seancë parlamentare me pretendimin se parlamenti nuk është në një situatë normale. Është absurde të mendosh se një grup deputetësh mund të ndikojnë agjendën e Presidentit të Republikës. Sigurisht agjenda e tij mund të kritikohet, të protestohet por jo të ndikohet.
Megjithatë, seanca e djeshme nuk është thelbi i kësaj historie. Thelbi është se në një vend anëtar të NATOs President i Republikës nuk mund të bashkëpunojë apo negociojë për të zgjidhur edhe kriza parlamentare me një formacion politik i cili është i shpallur non-grata nga aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë është Kryetar i Forcave të Armatosura, Kryetar i Sigurisë Kombëtare, detyrë e cila i përcakton atij disa detyrime ndërkombëtare me aleatët e Shqipërisë. Jo vetëm që ja përcakton interesi kombëtar për të ruajtura marrëdhëniet me ShBA , Britaninë e Madhe dhe Perëndimin në tërësi, por për disa aspekte ja përcakton dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Në këtë kuptim të gjitha ata që i kërkojnë Presidentit të Republikës së Shqipërisë të legjitimojë formacionin politik të Rithemelimit dhe drejtuesin e tij Sali Berishën, akoma nuk e kanë kuptuar që është thjesht e pamundur, pikërisht për detyrimet që ai ka ndaj interesit të Shqipërisë dhe aleateve të saj.
Mirëpo mbështetësit e Berishës dhe Rithemelimit, akoma nuk e kanë kuptuar se nëse vazhdojnë këtë rrugëtim dhe pretendojnë një jetë normale parlamentare, nuk mund ta arrijnë dot me ndërmjetësim të Presidentit apo të ndërkombëtarëve nëse në krye të tyre vazhdon të jetë një politikan i cili është dizajnuar si i padëshiruar nga aleatët Perëndimor të Shqipërisë.
Nëse e gjitha kjo histori është e drejtë apo jo, ky është një diskutim tjetër. Por kontesti politik dhe gjeopolitik, ndonjëherë s’ka të bëjë me drejtësinë por me interesat e një shoqërie, të cilat padyshim që realizohen më mirë nëse Shqipëria rreshtohet pa kushte me ShBA dhe Perëndimin.