Bardhi&Noka, (Berisha), mbushin topin, Rama gjuan me gjyle Reformën Zgjedhore!

Nga Bato Kosova

Ajo që bëri sot me Komisionin për Reformën Zgjedhore grupi Bardhi-Berisha, duket fiks si zbatim në terren i direktivave dhe parashikimeve që dha Edi Rama në 11 janar nga Lezha kur foli për këtë çështje. Ai deklaroi se kjo reformë mund të kalohet edhe pa një komision bipartizanë, mazhorancë-opozitë, përderisa kundërshtarët politikë nuk merren vesh vetë për këtë tryezë.

Pas kësaj ai tha se do ta bëjë vetë reformën, (siç e do ai), duke synuar që të sigurojë 84 vota në mënyra të tjera dhe pa konsensusin e opozitës.

“Sigurisht që do ishte mirë të bëhen me komisione, por komisioni bipartizan bëhet me dy palë. Këtu kemi një palë partizan dhe kemi një numër ballistësh që mbase kanë ndryshuar numër, por ne nuk e marrim dot si kusht dhe parakusht dhe të mbytemi në një lugë ujë”, tha Rama vetëm 8 ditë më parë.

Pas kësaj duket se ndërhyrja e ndërkombëtarëve, (Urdhër jo negocim), e detyroi Edi Ramën që të pranojë nisjen urgjente të punës së këtij komisioni, i cili nëpërmjet Lindita Nikollës dhe bashkëkryetarit Damian Gjiknuri ka qenë për 1 vit e gjysmë i bllokuar. Ambasadorja e OSBE priti në takime të veçanta bashkëkryetarët Alibeaj dhe Gjiknuri, deputetë të tjerë anëtarë të këtij komisioni dhe kështu u vendos që mbledhja e parë të zhvillohej këtë të premte në orën 11.00.

Përpara kësaj mbledhje Enkelejd Alibeaj në emër të PD, shpalosi edhe 4 propozimet që do të hidhte në këtë komision: Listat e hapura, proprcional kombëtarë, vota e diasporës dhe votimi elektronik.

Faktikisht në këtë tryezë me propozime konkrete shkon vetëm PD, pasi mazhoranca e Ramës është e kënaqur me këtë statukuo të sistemit zgjedhorë dhe vjen në këtë komision pa propozime dhe vetëm sa për tu hedhur hi syve ndërkombëtarëve.

Nga ana tjetër edhe grupi Bardhi- Berisha i cili ka mjaftueshëm përfaqësues në këtë komision, të vetmin propozim dhe kërkesë që kanë është heqja e Alibeajt si bashkëkryetarë dhe zëvendësimi i tij, me zëvendësin e nongratës Sali Berisha. Pra futja nga dritarja e kreut të Rithemelimit Sali Berisha në tryezën e lartë politike, si bashkëvendimtarë i kësaj reforme të rëndësishme me Edi Ramën, i cili nga ana e vetë ka deleguar aty Damian Gjiknurin.

Në këtë situatë nisi edhe mbledhja e parë e këtij komisioni, për të cilin Rama kishte paralajmëruar nga Lezha se nuk mund të fuksiononte dhe ai do ta bënte “Reformën” edhe pa atë.

Dhe ashtu siç e panë të gjithë shqiptarët, ashtu siç kishte paralajmëruar dhe “udhëzuar” Edi Rama ndodhi. Këtë qëllim të paktën sot për sot e arriti duke përdorur Gazment Bardhin, Flamur Nokën, (Berishën) dhe disa deputetë ndjekës té tyre.

Këta bënë sikur bënë rrëmujë dhe luftë të “egër” bllokuese, kurse Gjiknuri bëri sikur debatoi 3 minuta, mori dosjen bosh ku nuk ka asnjë propozim dhe iku.

Pas kësaj Blendi Klosi nxitoi të deklaronte se, “Ne do ta bëjmë ‘reformën’, do apo nuk do opozita, edhe pa komision”. Edhe Elisa Spiropali nëpërmjet një shënimi u shfaq e kënaqur nga ajo që bëri grupi Bardhi&Noka dhe paralajmëroi fundin e epokës së komisioneve bipartixane mazhorancë-opozitë.

Pra ajo që ndodhi sot me pak fjalë ishte: Bardhi&Noka mbushën topin duke bërë rrëmujë dhe “bllokuar” komisionin, Rama gjuajti gjylen për të realizuar pikërisht atë që do, mos bërjen e një reforme të thellë zgjedhore dhe shkatërimin e Komisionit ku do apo nuk do ai, do të duhet të përballet me 4 propozimet e PD që i duan me ngulm të gjithë shqiptarët: Listat e hapura, vota e emigrantëve, votimi elektronikë dhe sistem proprcional kombëtarë.

Grupi Bardhi duke bërë këtë lojë në shërbim të Ramës në fakt po i shërbenë edhe interesit të tyre personal. Ata, (përveç të tjerave), ndaj u bashkuan me “shumicën” e Berishës, për atë të shkret vend në listat e mbyllura që i vendos kryetari. Shumica e deputetëve të grupit Bardhi-Berisha e dinë shumë mirë se nëse shkojnë dhe provojnë të dalin vetë deputetë, nuk marin as gjysmat e votave që duhen për tu ulur në karrigen ku janë sot.

Po të kishin popullaritet, demokratë dhe shqiptarë që i duan, do të kishin mbledhur njerëz për protestat e dështuara ku nuk ju shkuan as 300 vetë apo do të mbushnin salkat në takime me demokratët.

Gjithsesi, në këtë lojë ku e kanë vendosur veten të bëjnë alibinë e Edi Ramës për të mos bërë një reformë, nuk ka më njeri që të mos e kuptojë qartë se po funksionojnë si struci: E kanë futur kokën në rërë, (“Jemi kundër Ramës”), por prapanicën e kanë nën diell dhe Rama po “e përdorë” atë më së miri për të sabotuar sa të mundet Reformën Zgjedhore./Alfapress.al

Artikulli paraprakMasat ndaj Sali Berishës, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkesën e bërë nga deputetët
Artikulli tjetër“Ndihmë ushtarake Prishtinës”- Karabina për planin e Bashës: Kosova, obligim për PD