Gjermania miraton ligjin e ri për shtetësinë, ja kush përfiton më shumë

Parlamenti gjerman miratoi të premten një ligj të ri për shtetësinë për të rritur pjesëmarrjen sociale dhe politike të emigrantëve.

Rreth 382 ligjvënës kryesisht nga qeveria e koalicionit të majtë-liberal të kancelarit Olaf Scholz votuan në favor të projektligjit, ndërsa 234 ligjvënës konservatorë dhe të djathtë votuan kundër tij. Njëzet e tre ligjvënës abstenuan.

Me ligjin e ri, emigrantët do të kenë të drejtën e nënshtetësisë gjermane pas pesë vitesh qëndrimi në vend, në vend të tetë viteve aktuale.

Për emigrantët që kanë treguar arritje të spikatura akademike ose profesionale dhe kanë aftësi të mira gjuhësore, kjo periudhë do të reduktohet në tre vjet.

Ligji i ri i shtetësisë do t’i lejojë emigrantët të kenë shtetësi të dyfishtë ose shtetësi të shumëfishtë, gjë që nuk ishte e mundur deri më tani, për shumë prej atyre që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser ka përshëndetur votimin, duke thënë se ishte një hap i rëndësishëm reformash, si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të modernizuar ligjet për imigracionin.

“Ne po krijojmë një legjislacion modern të imigracionit që do të plotësojë kërkesat e shoqërisë sonë të larmishme. Ishte koha për ta bërë këtë”, tha politikani socialdemokrat.

Ajo kritikoi gjithashtu politikanët e ekstremit të djathtë për shtrembërimin e debateve publike rreth migrimit, duke kryer një propagandë raciste kundër emigrantëve për shumë vite.

“Këto debate janë zhvilluar në kurrizin e njerëzve që kanë jetuar dhe punuar në Gjermani për shumë vite, por nuk janë lejuar kurrë të jenë plotësisht këtu. Reforma jonë u tregon atyre: Ju jeni të Gjermanisë!”. tha Faeser.

Ajo nënvizoi gjithashtu se reformimi i ligjit të shtetësisë do të ndihmojë Gjermaninë në trajtimin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar, duke tërhequr specialistë dhe profesionistë të kualifikuar nga jashtë.

“Ne jemi në mes të një konkursi global për trurin më të mirë. Ne kemi nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha të ekonomisë sonë. Ne do të tërheqim mendjet më të mira vetëm nëse ata mund të bëhen pjesë e plotë e shoqërisë sonë në të ardhmen e parashikueshme, me të gjitha të drejtat e tyre demokratike, “tha Faeser.

Aktualisht, rreth 12 milionë njerëz në Gjermani, rreth 14% e popullsisë së përgjithshme nuk kanë shtetësi gjermane. Rreth 5.3 milionë prej tyre kanë jetuar në vend për të paktën 10 vjet, sipas shifrave zyrtare.

Shumë prej tyre kishin hezituar të aplikonin për shtetësi gjermane në të kaluarën për shkak të procedurave të lodhshme burokratike, rregulloreve të rrepta dhe kufizimeve për mbajtjen e shtetësisë së dyfishtë.

Artikulli paraprakQeveria i merr biznesit edhe Dhomat, synon krijimin e një Dhome publike me anëtarësim të detyrueshëm, dhe nxjerrjen jashtë loje të shoqatave të sipërmarrjes
Artikulli tjetërEdi Ramës nuk i lejohet t’i japë Berishës veton për Reformën Zgjedhore