Nga Ervis Iljazaj
Reforma Zgjedhore në Shqipëri është reforma ku ndërkombëtarët në Shqipëri marrin pjesë dhe janë aktiv më shumë se në çdo reformë tjetër. Gjithmonë kjo reformë është bërë nën shtysën e aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe ku ata janë pjesë e tryezave dhe bisedimeve që bëhen midis palëve politike. Disa herë kjo pjesëmarrje ka qenë e suksesshme, disa herë jo. Por askush nuk mund ti përjashtojë misionet ndërkombëtare në Shqipëri për të qenë palë aktive në hartimin e Reformës Zgjedhore pasi vendi ynë është pjesë e proçeseve integruese euroatlantike, dhe zgjedhjet e lira dhe procesi demokratik tyre është kusht për këto procese.
Në këtë kuptim, debatet që bëhen për Reformën Zgjedhore dhe për komisionin e saj po lënë jashtë thelbin e diskutimit. Arsyet se përse foltorja e drejtuar nga Sali Berisha nuk po merr dot bashkëkryetarin e komisionit nuk është as çështje ligjore, as çështje politike dhe as çështje ‘’pazari’’ që PD zyrtare po bën me Edi Ramën. Është thjesht një çështje diplomatike, tashmë e shprehur hapur. Ndërkombëtarët në Shqipëri, duke filluar nga ShBA, Britania e Madhe dhe BE nuk kanë asnjë marrëdhënie politike me foltoren e drejtuar nga Sali Berisha dhe nuk e njohin si një bashkëpunëtor politik.
Në këto kushte Edi Rama, është i pamundur dhe nuk ja lejon askush që Sali Berishën ta ulë në një tryezë me ndërkombëtarët në Shqipëri, kur ky i fundit është shpallur i padëshiruar nga ShBA dhe Britania e Madhe dhe në të njëjtën kohë i izoluar nga vendet perëndimore që operojnë në Shqipëri. Ndoshta do të dëshironte ta ulte Berishën në tryezën e Reformës Zgjedhore, por thjesht e ka të pamundur.
Sepse në fakt, ajo që realisht po ndodh me debatet për Reformën Zgjedhore dhe klimën konfliktuale që po krijojnë deputetët e foltores në parlament ka të bëjë pikërisht me qëllimin që nëpërmjet Oerd Bylykbashit të ulin në tryezën e Reformës Zgjedhore me ndërkombëtarët Sali Berishën. Madje edhe më shumë se kaq. Ti japin atij të drejtën e vetos nëpërmjet bashkëkryetarit që ai ka emëruar.
Kjo është e vërteta dhe konteksti politik në të cilën po zhvillohet kjo reformë dhe që shpjegon shumë gjëra. Të tjerat janë debate boshe dhe pa asnjë vlerë. ShBA, Britania e Madhe dhe BE është e qartë se nuk e duan Berishën dhe formacionin e tij politik si palë në tryezën e Reformës Zgjedhore. Nëse deputetët e foltores sot nuk do të njihnin Sali Berishën si kryetar të tyre, por do të kishin zgjedhur një drejtues tjetër, padyshim që do të ishin pjesë e Reformës Zgjedhore dhe palë e rëndësishme e saj. Këtë gjë bëjnë sikur nuk e kuptojnë deputetet e foltores, ndërkohë që kjo është e vetmja e vërtetë.
Të gjithë ata që i shkojnë pas Berishës, sigurisht që po humbasin shumë për veten e tyre, për opozitën në tërësi vetëm për të mbrojtur liderin e tyre të përjetshëm. Dhe për këtë fakt, ndoshta pa të drejtë po marrin kosto të mëdha politike. Por kjo është zgjedhja dhe bindja e tyre e lirë. Vetë e kanë në dorë të vendosin se çfarë rruge politike duan të ndjekin.
Por kjo rrugë që ata kanë vendosur duke brohoritur çdo ditë emrin e Sali Berishës si liderin e tyre, është rruga që do ti izolojë gjithmonë e më shumë, është rruga që do ti mbyllë të gjitha dyert diplomatike dhe me aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë.
Sepse ShBA dhe Britania e Madhe e nxorën nga dera Berishën si non-grata, ndërsa foltorja nëpërmjet Oerd Bylykbashit dhe Gaz Bardhit kërkon ta fusë nda dritarja dhe ta ulë lidershipin e tij në një tryezë me ndërkombëtarët, duke i dhënë edhe të drejtë veto. Kjo është një gjë që nuk mund të ndodh. Sa më shpejt ta kuptojnë, aq më mirë do të jetë për ta dhe për opozitën në tërësi. /Liberale.al/