21 Janar 2011 nga sytë e mi

Nga Namir Lapardhaja

Askush nga ne, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nuk e dinte në mëngjesin plot diell të së premtes së 21 Janarit 2011 se mbrëmja e kësaj dite do të shndërrohej tragjikisht në një të premte të zezë, me një bilanc tragjik, plot 4 viktima në zemër të Tiranës. Kjo, edhe përpos paralajmërimeve të vazhdueshme të drejtuesve kryesor të opozitës së asaj kohe.

Duhma e nxehtësisë tunizane, e artikuluar mjaft qartë ato ditë, u shndërrua në duhmë gjaku njerëzish të pafajshëm.

Mëngjesin e asaj dite isha në Berat, ku në qendër të qytetit shihja se si protestuesit socialist të thërritur në Tiranë me një qetësi të plotë mbushnin ngadalë autobuzët e faturuar për këtë arsye.

Jam i bindur se askush prej tyre nuk e ka ditur në atë mëngjes janari se po transportoheshin në kryeqytet jo për të protestuar për bllokun e Ilir Metës, kapur me zë dhe figurë në një aferë të pastër korruptive, por për të kënaqur egon e shefit të tyre partiak, i cili e kishte humbur durimin e pritjes së gjatë në opozitë dhe kërkonte me çdo kusht pushtetin. Ata po shkonin mish për top.

Teksa autobuzët u nisën njëri pas tjetrit dhe në asfaltin e lagur ngelën vetëm shenjat e rrotave, një diell i fortë ndriçoi qytetin. Jeta në Berat vazhdoi me rutinën karakteristike të tij.

***

Në mesditë së bashku me një mikun tim u nisëm me makinën e tij për Tiranë. Ai për t’u kthyer në shtëpi, ndërsa unë në atë kohë vijoja studimet pasuniversitare dhe çdo fundjavë takoja pjesën tjetër të familjes në kryeqytet.

Rruga eci mjaft mirë, një qetësi absolute dukej sikur kishte mbërthyer atë ditë të gjithë Shqipërinë dhe frymët ishin ndalur të gjitha në sheshin përpara Kryeministrisë.

Askujt nuk i shkonte mendja gjatë asaj rruge për atë që po ndodhte në zemrën e vendit. Ndalesën e parë e bëmë në Kavajë. Aty, nëpërmjet televizorit, morën vesh gjithçka. Zjarri dhe flakët ishin hapur gjithandej, policë të gjakosur dhe një turmë e irrituar që bënte gjithçka për të kaluar kordonin e forcave të rendit. E tmerrshme ajo që po shihja në atë të premte në mesditë. Gjëja e parë që bëra ishte telefonata e një mikut tim, pjesëmarrës në atë protestë. Ai atë ditë ishte nisur për në Tiranë. Kohë më vonë do të më kujtonte atë bisedë telefonike e do të më thoshte se, përveç familjes, kisha qenë i vetmi që isha interesuar për fatin e tij dhe të njerëzve të tjerë nga Berati në atë ditë. Fatmirësisht ishte mirë. Ishte larguar nga ajo marrëzi kolektive dhe ishte larg vatrës së protestës.

Rruga vazhdoi sikur po udhëtonim drejt ferrit. Fjalët tona kishin mbaruar, frymët kishin ndalur dhe asnjë nuk fliste. Gjithsekush donte të mbaronte sa më parë ai udhëtim dhe të shkonte sa më shpejt pranë familjes së tij.

Mbërritëm në Tiranë. Në Bllok nuk kishte vend për të parkuar makinën. Krismat dëgjoheshin edhe aty. Njerëzit vraponin të tmerruar. Disa drejtues të lartë, që më pas do të bëheshin drejtorë të rëndësishëm të Rilindjes, e më vonë deputetë, i pamë atë ditë në rrugën e Bllokut, shumë larg protestës. Shihje në ato momente edhe të rinj, të ngazëllyer, të cilët nuk e kuptonin se çfarë ishte duke ndodhur në të vërtetë vetëm pak metër larg tyre.

U ndamë, pothuajse, pa asnjë fjalë me mikun tim dhe ndoqa rrugën në drejtim të Tajvanit. Deputetë të PS-së ishin në këtë segment rrugor. Gazi lotësjellës ndihej edhe aty, kështu që m’u desh të nxitoja sepse nuk duroja dot. Krismat dëgjoheshin gjithandej. Ende nuk dihej në kishte viktima apo jo.

Rama dhe të tijët ishin ende në urën mbi Lanë, nga ku jepnin direktivat për të intesifikuar goditjen, ndërsa “grupi i zjarrit” me në krye deputetin Tom Doshi ishin egërsuar edhe më shumë, ndërkohë që mjaftistët e dikurshëm me Erjon Velinë në krye nga brenda turmës lyenin njerëz me bojë, për t’u dukur të gjakosur, dhe për të irrituar turmën më shumë. Një skenë absurde po luhej. Një grup kundër një grupi me një regji të orkestruar në mënyrë perfekte. Marrëzia për pushtet kishte nxjerr krye dhe “Bajlozi i Zi ishte turrur drejt ‘Gjergj Elez Alisë’ për t’i marrë kullën kreministrore të pushtetit”.

Bilancin tragjik e mora vesh në shtëpi shumë vonë. U ngula gjatë përpara ekranit të televizorit, lotova për atë se ç’po ngjante. Gjithçka ishte e pakuptueshme, pa sens, logjikë, arsye. Televizionet vijonin të jepnin lajme kontradiktore. Askush nga opozita nuk kishte dalë në ballë të protestës, por “profetizimet” e Skënder Gjinushit dhe të Spartak Ngjelës për viktima dukeshin sikur po realizoheshin në mënyrën më të mirë. 3 të vdekur, 1 i plagosur në gjendje të rëndë, i cili do të ndërronte jetë pak më vonë, 1 gazetar i një televizioni informativ i plagosur në krye të detyrës dhe shumë gjak nga të dyja palët.

Shqiptarët i ishin kthyer edhe një herë marrëzisë kolektive. Një pjesë e babëzitur për pushtet dhe një tjetër në mbrojten e këtij pushteti.

Populli i Tiranës nuk e fali Edi Ramën në zgjedhjet e 8 Majit 2011, edhe pse ai vet do të “amnistonte” pak kohë më vonë Ilir Metën, arsyen e vetme të 21 Janarit, në një darkë të shijshme, me verë dhe ngjala, në Gji të Lalzit, ndërsa dosjen e asaj të premteje të zezë do t’ua linte arkeologëve të merreshin në të ardhmen.

***

Të nesërmen në mëngjes, kur gjithçka kishte përfundur, ndërsa ecja drejt fakultetit Filologjik, qëndrova gjatë në sheshin përpara Kryeministrisë, ku shenjat e një dite më parë ishin ende të gjalla. Kishte edhe të tjerë. S’na ngelej vetëm se të bënim foto të asaj që kishte ngelur, ndërkohë shenjat e gjakut ishin ende të freskëta në trotuar…

20 janar 2017

Artikulli paraprakDikush hodhi një libër të Flutura Açkës te mbledhja e grupit Bardhi&Noka, masakër o nëne masakër!
Artikulli tjetërVOA: “Russia Today” synon transmetimet e programeve të saj në gjuhën serbe në Bosnje