Para pak ditësh në televizionin “News24” u transmetua intervista me drejtoreshën e TKOBAP-së, Znj. Abigeila Voshtina, e cila, në hapësirën kohore relativisht të gjatë prej 25 minutash, shpalosi përpjekjet dhe arritjet personale dhe institucionale për periudhën që drejton dhe përfaqëson njërin prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës së vendit tonë, si dhe strategjinë që synohet të ndiqet në vijim.
Në urimin që platforma e synuar për administrimin e TKOBAP-së dhe e përzgjedhur sipas ligjit me konkurim te drejtëpërdrejtë nga Ministria e Kulturës—tashmë: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI)—të lërë gjurmë në historinë e çmuar dhjetravjeçare të atij institucioni madhor dhe mbarëkombëtar, Voshtina i lejon vetes të kapërcejë caqet personale—si instrumentiste më shumë orkestrante sesa soliste që është—dhe ato institucionale—si drejtuese ku duhet t’i përmbahet një rregulloreje të shkruar, pos kodit deontologjik karakterizues dhe moralisht detyrues për profesionistin.
Sipas vetëparaqitjes në faqen zyrtare online TKOB
«TKOBAP ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretative dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor,koreografik dhe folklorik».
Ky mision detyron bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e forcave krijuese dhe interpretuese më të mira, institucioneve dhe organizmave më të shëndetshme mbarë kombëtare, këtu përfshirë edhe shqiptarët jashtë kufijve politikë. Diçka është bërë në këtë drejtim, ku mund të përmendim, për shembull, bashkëpunimin e frytshëm me korin e Filarmonisë së Prishtinës që mundësoi paraqitjen më me autoritet të një vepre të re operistike tonën edhe pse në formë koncertore. Urimi i të gjithëve është që ndërveprime të kësisojta të jenë gjithëpërfshirëse, pra edhe në kahun e solistëve, dirigjentëve, krijuesve dhe pse jo, edhe të drejtuesve institucionalë.
Në vend që të këmbëngulet në këtë drejtim të mirëpritur, Voshtina—tashmë me petkun e të qenurit edhe muzikologe dhe/ose kritike arti—pohon në mënyrë të pamenduar mirë dhe pa ndonjë argument: “SHQIPËRIA NUK SHQUHET PËR DIRIGJENTË TË AFTË!”.
Pyetja e parë që të vjen ndërmend është: “Kush e ka sjellë deri në nivelin e sotshëm TKOBAP-në me histori që nis kryeherazi në vitin 1950?
Nga sa shprehet nga drejtuesja e sotme e këtij institucioni duket se kanë qenë vetëm të huajt, e nuk dimë se mbi ç’fakte e ndërton këtë përfundim. Duke parë që ajo vetë nuk ka qenë ndonjëherë pjesëmarrëse në formacionin e orkestrës së institucionit që drejton, lëre pastaj soliste në të, është e kuptueshme që gjykimi i saj mund të vlerësohej edhe si mosnjohje e historisë së ngrehinës së vetëm kombëtare të këtij lloji në hapësirën mbarëshqiptare, por kjo, në vend që ta lehtësojë pozicionin e saj, e rëndon atë edhe më shumë, pasi për një kohë jo të shkurtër ka qenë dhe drejtore artistike e TKOBAP.
Nënshkruesi i kësaj deklarate, por jo vetëm, edhe mund të kishte heshtur, duke e likuiduar pohimin e mësipërm si etikisht të pakujdeshëm, por në gojën e një funksionari ajo ka tjetër peshë pasi, në terma juridikë, “heshtja” do të vlerësohej “si aprovim” i tezës së lëshuar në mënyrë diskretituese, nihiliste, keqdashëse, delirante dhe, për më tepër, të pambështetur në fakte.
Hartuesi i kësaj deklarate, në cilësinë edhe të kryetarit të grupit të dirizhimit në Fakultetin e Muzikës pranë Universitetit të Arteve, kundërshton vlerësimin shpërfillës dhe të papërgjegjshëm nga pozita e një supremacie profesionale imagjinare të drejtoreshës së TKOBAP.
Të vetmet kritere vlerësimi janë faktet, historia, CV-të profesionale, cilësia e veprimtarisë artistike, numri i jashtëzakonshëm i koncerteve të cilat janë pjesë e historisë kombëtare të interpretimit në të gjitha institucionet profesioniste që ka vendi ynë të bëra nga profesorët tanë dhe nga ne. Mund të kujtoj se i vetmi dirigjent shqiptar me të cilin ka interpretuar si soliste Znj. Voshtina (me koncertin për violinë dhe orkestër harqesh të Mendelsonit në Mi minor) para se t’u emëronte në pozicionin e sotëm është firmatari i kësaj deklarate në drejtimin e orkestrës së harqeve “Aleksandër Mosiu” të qytetit të Durrësit, e cila ka një njohje profesionale të vlerësuar si brenda dhe jashtë vëndit.
Pohimi i saj i paargumentuar, i bërë për më tepër në sallën e TKOBAP-së—skena ikonë e historisë së artit të interpretimit muzikor shqiptar, ku deri para dy vitesh ka mbizotëruar veprimtaria e dirigjentëve shqiptarë në vënie operash, baletesh, koncerte simfonike dhe gala të ndryshme—përmban në vetvete edhe trajtat e rrezikshme të pretendimit për të dominuar mendimin profesionist përmes posteve në mosrespektim të gjithë ngrehinës artistike shqiptare:
Papërgjshmëria e drejtoreshës së TKOBAP-it përbaltos dhe rrëzon faktikisht periudhën historike 70-vjeçare të orkestrës dhe arritjet e sukseshme të këtij institucioni të krijuar nga hiçi, këtu përfshirë interpretimete solistëve dhe orkestrantëve të saj nën drejtimin autoritar të personaliteteve simbol të dirizhimit shqiptar Mustafa Krantja (Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit mbas vdekjes), Rifat Teqja (Artist i Popullit), Simon Gjoni, Fiqiri Kraja, Ermir Krantja (Nderi i Kombit), Bujar Llapaj, Edmond Doko dhe të ftuarit si bashkëpuntor të jashtëm Eno Koco (Nderi i Kombit, Profesor i Asociuar e Doktor i Shkencave), Alqi Lepuri (Profesor), Jetmir Barbullushi, Petrika Afezolli Profesor, kryetar i grupit të dirizhimit në Uart)
Në reperetorin e operas dhe baletit shqiptar ata kanë meritën e padiskutueshme si themelues dhe kontributorë nga më të parët në krijimin e vlerave kombëtare të këtij institucioni që së bashku me dirigjentët e korit Kostandin Trako (Artist i Merituar, Mjeshtri i Madh), Vangjo Nova (Artist i Merituar), Milto Vako (Profesor), Rozmari Jorganxhi (Mjeshtre e Madhe), Suzana Turku (Mjeshtre e Madhe), Dritan Lumshi, etj., duke e lartësuar kështu profesionin dirizhorial në nivele mjaft cilësore—e tëra kjo në bashkëpunim të pandërprerë me artistët më në zë të kohës. Kjo i ka mundësuar TKOBAP-it të pasurojë arkivën artistike me të cilën krenohet sot drejtoresha më e fundit e tij.
Mund të shtohet këtu dhe fakti—që me shumë të drejtë vlerësohet nga drejtoresha si një ngjarje e rëndësishme në planin kalendarik të TKOBAP-it—i rivënies në skenë e një prej veprave më monumentale të baletit shqiptar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” e kompozitorit Feim Ibrahimi (Artist i Popullit), me libret të Ismail Kadare (Akademik), skenografi të Naxhi Bakallit dhe koreografi të Agron Alias. Drejtoresha nuk mund të mos e dijë që në premierë ky balet është dirizhuar nga Rifat Teqja, që në rivënien për herë të dytë është drejtuar nga Bujar Llapaj, ndërsa për herë të tretë nga Petrika Afezolli, e që Suita nga ai balet ka shkuar deri në ShBA nën drejtimin e Ermir Krantes.
Duke lënë mënjanë kodin deontologjik profesional—i cili pengon edhe nënshkruesin e kësaj deklarate të flasë me të njëjtën gjuhë si të Voshtinës—drejtoresha e TKOBAP-it duket qartë se nuk i përmbahet akteve administrative dhe rregullores së brendshme për të cilat është thërritur që t’i zbatojë në vetë të parë dhe t’ua kërkojë dhe kontrollojë edhe personelit që
Sipas ‘Kreut VI’ të “Rregullores së institucionit”, i cili disiplinon pikërisht “Shërbimin me publikun dhe komunikimin me mediat”, neni 33, pika 1, fjalia e dytë, përcaktohet shprehimisht se «titullari duhet të këshillohet me këshilltarin për shtyp të Ministrit».
A e ka ndjekur drejtoresha në fjalë këtë procedurë? Nëse jo, do të kishim të bënim me një shkelje të hapur procedure, nëse po, njëzërshmëria e qëndrimit do ta detyronte edhe këshilltarin të demonstronte aftësinë dhe kompetencat e veta që i lejojnë të japë publikisht të tilla gjykime. Drejtoresha e TKOBAP-it është e lutur që, brenda afateve ligjore të afrojë sqarim të dokumentuar për këtë pikë.
Për shkelje të ngjashme flet edhe pika 3,4 e të njëjtit nen, ku sakësohet shprehimisht: «Nuk rekomandohet përgjigje e menjëhershme ndaj interesit të gazetarit për një çështje të caktuar, për t’i lënë kohë përgatitjes me korrektësi të informacionit të kërkuar”.
Në fund, duke ju referuar po asaj rregullore—konkretisht “Kreut VI: Karakteristikat e funksioneve, përshkrimi individual i punës dhe vlerësimi i performancës”, neni 14 (Drejtori i përgjithshëm), pika 8, i sugjeroj titullarit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe sekretarit të përgjithshëm të saj, vlerësimin dhe zbatimin e rregullores të aprovuar nga vetë.
Nënshkruesi fton drejtoreshën e TKOBAP të parashtrojë, nëse ka, arsyetimet që kanë motivuar gjykimin e vet shpërfillës, si dhe kompetencat profesionale që do t’i mundësonin asaj të pasurin e autoritetit të duhur për të formuluar të tilla përfundime.
Me nderime Petrika AFEZOLLI (Profesor, dirigjent, kryetar i grupit të dirizhimit në UART.)