Vaksinat anti-COVID kanë ndikuar në reduktimin e vdekjeve me 57% gjatë periudhës së pandemisë, sipas një studimi të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Europë.
Aplikimi i vaksinës ka shpëtuar më shumë se 1.4 milionë jete në Rajonin Evropian të OBSH-së. Kryesisht, të shpëtuarit kanë qenë të moshës mbi 60 vjeç, grupi që konsiderohej me rrezikun më të lartë për sëmundje të rënda dhe vdekje nga virusi SARS-CoV-2. Të dhënat tregojnë se 700,000 jete janë shpëtuar vetëm me marrjen e dozës së dytë të vaksinës.
Në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, janë regjistruar 277 milionë raste të konfirmuara me COVID dhe 2.5 milion jetë të humbura. Ekspertët besojnë se në mungesë të vaksinave, numri i vdekjeve do të kishte shkuar deri në 4 milion.
Raporti tregon një ulje prej 57% të vdekshmërisë mes personave të moshës 70-79 vjeç dhe një ulje prej 54% të vdekjeve në mes të personave të moshës 60-69 vjeç. Vdekshmëria ishte 52% më e ultë në grupmoshën 50-59 vjeç. Grupi mbi 80 vjeç ka patur një ulje më të madhe të vdekshmërisë, prej 62%.
Në mesin e personave të moshës 25-49 vjeç, marrja e një doze të dytë vaksine rezultoi në një ulje prej 48% të vdekshmërisë.