Në fillim duket sikur kërkon të japë lajmin që të gjithë po presin prej javësh: “Mbyllja e akordit parashikohet më datë 13 dhjetor. Është gjithçka gati”. Mirëpo, vetëm disa sekonda më vonë, hap një skenar komplet tjetër: “Nëse nuk do të mbyllet me sukses tratativa për shitjen e paketës së klubit, Milanin e mbaj sërish unë. Do ta bëj me shumë kënaqësi dhe kam menduar për strategjinë e re që do të ndjek. Milani i ardhshëm do të jetë me një organikë lojtarësh italianë dhe shumë të rinj”.
Presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, duket se është ridashuruar me klubin dhe, gjatë një interviste për emisionin “Matrix” në televizionin italian “Canale 5”, ka folur gjatë edhe për kapitullin që lidhet me Milanin. Tema është shitja e mundshme e paketës së mazhorancës nga “Kavalieri”. Për Milanin është interesuar grupi i investitorëve kinezë “Sino Europe Sports”.
Fjalët e fundit të Berluskonit duket se lidhen shumë mirë me ato që tha ish-kryeministri italian pas sfidës kundër Interit: “Nuk e di nëse është derbi im i fundit si president. Unë dhe Galiani mund të qëndrojmë sërish në krye të klubit”. Këto fjalë dolën nga goja e Berluskonit dhe dikush i përktheu si “ndryshim plani”.
Kjo hipotezë duket se po merr më shumë formë pas daljes së djeshme të “Kavalierit”. Në pritje të asamblesë së datës 13 dhjetor, sa vjen dhe shtohen dyshimet për mbarëvajtjen e akordit me aziatikët. Grupi kinez deri më tani ka derdhur 100 milionë euro në arkat e Milanit dhe pritet që investitorët të derdhin edhe 420 mln euro për të mbyllur përfundimisht blerjen e klubit.
Gjatë fjalës së tij, Berluskoni ka shtuar: “Jo, nuk jam penduar. Shitja ishte vendimi më i drejtë. Isha i trishtuar kur vendosa të largohesha, por mendova për të mirën e klubit, pasi të gjithë e dimë se futbolli ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Kanë hyrë paratë e miliarderëve arabë dhe për një familje italiane është shumë e vështirë të rivalizoj me këto fuqi ekonomike. Futbolli është bërë si loja monopoli”.
Në fund Berluskoni shtoi: “Milani ka nevojë të rikthehet në majën e Europës dhe duhet që dikush të investojë një kapital të rëndësishëm. Unë provova të formoja një grup investitorësh italianë, siç ndodh me Realin dhe Barcelonën, por nuk arrita dot ta bëj. Në fund m’u desh të pranoja ofertën e vetme që më mbërriti”.
Ndërkohë, në Turqi pretendojnë se Milani dhe Gallatasaraj janë duke biseduar për një shkëmbim të mundshëm në merkato që parashikon transferimin e Uesli Shnajderit te “Djalli” në këmbim të kartonit të Hoze Ernesto Sosës, i cili pritet të rikthehet në kampionatin turk. Argjentinasi u ka kushtuar 7.5 milionë euro kuqezinjve në merkaton e verës, mirëpo blerja e tij nuk ka rezultuar produktive deri më tani.
Trajneri Vinçenco Montela, nuk ka shumë besim tek ish-futbollisti i Beshiktashit, që në këtë kampionat numëron shumë pak minuta. Sakaq, as tifozët nuk e pritën aspak mirë blerjen e Sosës dhe acarimi i tyre po rezulton i drejtë, pasi lojtari nuk e ka shpërblyer besimin e klubit. Mbërritur në këtë pikë, Sosa duket se ka bërë gati “valixhen” për t’u larguar me hapjen e merkatos së janarit.