Dy punonjësit e OSHEE-së të cilët u filmuan duke marrë ryshfet, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Ata akuzohen për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmë, në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’, që bënte fjalë për 2 punonjës të OSHEE-së, të cilët i kanë marrë shuma të ndryshme parash, një shtetasi, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për subjektin e tij (furrë buke), ju bëjmë me dije se: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shfaqen në video. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasit: A. P., 54 vjeç dhe R. K., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 000 lekë dhe 3 celularë, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme, shtojnë të njëjtat burime.
Më herët, OSHEE njoftoi nisjen e një procedimi ndaj dy punonjësve.