Virgjil Muçi: Çmimi Kadare është një institucion në Republikën e letrave shqipe

Fituesi i Çmimit Kadare 2018 rikujton rrugëtimin në këtë eksperiencë që e riktheu në krye, pas disa vitesh shkëputjeje nga krijimtaria letrare

Një rast i volitshëm për të hyrë nga dritarja në ndërtesën e letrave shqipe. Kështu e cilëson sot shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi pjesëmarrjen në Çmimin Kadare 2018, në edicionin e tij të katërt.

Në një përballje kokë më kokë me romanin “Një rrugë e gjatë pa krye” të autores Vera Bekteshi, “Piramida e shpirtrave” triumfoi duke rrëmbyer 3 nga votat e jurisë me 5 anëtarë, e kryesuar nga shkrimtari Kim Mehmeti.

Autori, i cili deri në momentin e konkurrimit, numëronte 10 libra e mbi 13 përkthime nga gjuhë e autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj, kishte bërë një shkëputje nga bota letrare në 2015, për të ndjekur karrierën diplomatike në një vend ballkanik.

Rikthmi do të ishte pikërisht nëpërmjet pjesëmarrjes në Çmimin Kadare, për të cilin Muçi thotë se e kishte rritur profilin e vet jo vetëm në vend, por edhe në trojet limitrofe të banuara nga shqiptarë

“Pa dashur dola edhe nga skena letrare e vendit, duke pasur parasysh se gjatë gjithë jetës sime nuk jam shkëputur për asnjë çast prej saj. Siç jam shprehur edhe herë të tjera, letërsia mbetet bashkëshortja ime e ligjshme, gjithë të tjerat, ku më shumë e ku më pak, janë flirtime të rastit. E vërteta është se, sado të përpiqesh, largësia bën të vetën. Atëherë ndjeva nevojën që mbasi dola nga dera të kthehesha në ndërtesën e letrave duke hyrë nga dritarja”, rrëfen autori.

Virgjil Muçi u shpall fitues në fund të majit të 2018, në Ditët e Letërisë në Razëm, me motivacionin: “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Një javë më vonë u zhvillua në ambientet e UET promovimi i librit të tij të ri dhe iu dorëzua trofeu i çmimit.

Shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shprehet se çmimet zbehen me kohën dhe harrohen të hedhura në ndonjë cep, por Çmimi prestigjoz Kadare, mbetet një institucion në Republikën e letrave shqipe.

“Në një rast jam shprehur se çmimet letrare janë si kalushët e lodrave të fëmijërisë, bëjmë si të çmendur pas tyre sa jemi të vegjël, por koha rrjedh dhe të dhënë pas punëve i braktisim dhe i harrojmë në papafingon e shtëpisë për t’i rizbuluar një ditë prej ditësh dhe risjellë ndër mend me nostalgji ato kohë që kemi lënë pas një herë e përgjithmonë. Çmimi “Kadare” është një institucion në Republikën e letrave shqipe, ndaj uroj ta ruajë shkëlqimin që i kanë sjellë vitet dhe puna e kryer deri më sot”, shprehet ai, në këtë intervistë për Revistën Liberale, e cila do të vijë së shpejti e plotë.

Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Autori është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm.

Katër vite pas romanit fitues, Muçi solli një tjetër vepër me shtëpinë botuese UET Press, “BU- Si nuk u bëra anëtar i bibliotekës univerale”, një roman i shkruar me pretenciozitetin për të krijuar një metaforë që të nxjerrë në pah e të shpjegojë absurditetin e atij procesi që në gjuhën burokratike quhet “integrim në familjen europiane”.

Artikulli paraprakSi Edi Rama e ndihmoi Sali Berishën nëpërmjet komplotit “McGonigal”, për të shkaktuar luftën civile në PD!
Artikulli tjetërKulluri: Edi Rama, manipulues dhe falsifikator kryesor i sulmeve dhe shpifjeve kundër Lulzim Bashës