Aty ku Marksi kishte të drejtë dhe Theçër e kishte gabim

Nga Sër Roxher Skruton

Qeveria laburiste e nisi me një premtim për t’i dhënë fund ekonomisë së ‘ulje-ngritjeve’. Tani ajo po përballet me një reçesion ekonomik serioz. Pra, çfarë qëndrimi ka Partia Laburiste për kapitalizmin? Aprovues, apo kundërshtues? Kur Margaret Theçër ishte në pushtet, qëndrimi ishte sigurisht kundërshtues. Të pyetur për shkakun e gjithë të keqes shoqërore – krimit, drogës, kolapsit të zonave urbane – politikanët laburistë ia drejtonin gishtin “kulturës së babëzisë” që ata ia mvishnin Theçërit. Ata e lidhnin këtë kulturë me biznesin e madh, me Qytetin, me sipërmarrjen e lirë, tregëtinë e lirë dhe tregjet e lira. A është e papritur, pyesin ata, që shoqëria britanike po shkërmoqet, që besnikëria, njerëzillëku, dhimbsuria dhe jeta e shpirtit po shuhen, kur qeveria e mat çdo gjë në terma monetarë? A mos çuditeni që vendi ynë gjithnjë e më shumë duket një komb pa shpirt, ku udhëheqësit këshillohen nga biznesmenët, nderojnë biznesmenët dhe presin të bëhen biznesmenë kur rrëzohen apo largohen nga postet?

Është e lehtë të kesh simpati për këto akuza; më pak e lehtë është të përshkruash alternativën. Bashkimi Sovjetik ka kuruar shumicën e njerëzve nga iluzioni socialist. Eksperimenti i madh socialist ishte një katastrofë, ekonomikisht dhe shoqërisht. Krimi dhe vandalizmi mund kenë qenë më pak të dukshëm në Bashkimin e vjetër Sovjetik, por vetëm për shkak se ato ishin të monopolizuar nga Partia. Që atëherë, si çdo gjë tjetër, ato janë privatizuar – zakonisht nga vetë njerëzit që i kontrollonin në të shkuarën. Tani ne arrijmë të shohim realitetin moral që u shtyp nga dekada të tëra terrori: një shoqëri në të cilën përllogaritja e ftohtë mbizotëron mbi çdo formë të detyrës shoqërore dhe, mund të shohim edhe – në krizën ekonomike të javës së fundit – pasojat e privatizimit kur ndjenja e detyrës sociale shkatërrohet.

Prapëseprapë, dështimi i socializmit nuk e mbron kapitalizmin nga goditja. Ka diçka që nuk shkon në një shoqëri e cila qeveriset tërësisht nga imperativat e biznesit, e cila nuk njeh kufi për tregëtinë përveç tregut dhe e cila e bën biznesin dhe sipërmarrjen vlerën e saj kryesore. Kur Marksi dhe Engelsi shkruanin manifestin komunist ata nuk e dënonin kapitalizmin për fuqinë e tij ekonomike. Ata e dënnin atë për koston njerëzore. “Ai nuk ka lënë asnjë të përbashkët tjetër ndërmjet njeriut dhe njeriut” shkruanin ata “përveç ‘pagesës së pashpirt me para’. Ai ka shuar ekstazat më qiellore të zjarrmisë fetare … në ujin e akullt të përllogaritjes egotike. Ai e ka zbërthyer vlerën personale në vlerë të shkëmbyeshme dhe në vend të lirive të pamohueshme komunitare ka krijuar një liri të vetme, të pandërgjegjshme – Tregëtinë e Lirë.” Sigurisht, e ekzagjëruar. Por jo pa një të vërtetë. Edhe nëse ne e hedhim poshtë alternativën e Marksit si naïve në qëllimet e saj dhe të ligë në mjete, ne nuk duhet të përjashtojmë thellimin moral prej të cilit ajo buron – pra, që tregu i lirë i lënë i shpenguar është një forcë sa krijimtare aq edhe shkatërrimtare.

Me pak fjalë, kjo është ajo që përsërisnte Partia Laburiste dhe gurutë e saj në vitet e Theçërit, më mbytyr gjatë tranzicionit gri të Xhon Mejxhërit. Por, kjo nuk është ajo që po thonë tani. Nën Toni Blerin, biznesi është prapë i palëkundur në sediljen e shoferit. Kryeministri emëroi biznesmenë të mëdhenj në Dhomën e Lordëve me të njëjtin entuziazëm të pandërgjegjshëm me Margaret Theçërin. Madje ai e bëri Lordin Sejnsbëri ministër në Departamentin e Tregëtisë dhe Industrisë – mu në departamentin ku, nëse laburizmi ka ndonjë kuptim, duhet të ishte duke kontrolluar njerëz si Lordi Sejnsbëri. Shihni politikat laburistë në të gjitha fushat në të cilat kanë interes gjigandët kapitalistë – Europa, Bashkimi Monetar Europian, bashkimi i korporatave dhe monopolet, mjedisi, agrobiznesi -dhe do të vëreni shembjen e premtimeve elektorale dhe detyrimeve morale përpara imperativave të tregëtisë. Është pranuar argumenti, siç ishte pranuar në kohën e Theçër, se prosperitet do të thotë rritje, se rritje do të thotë globalizim dhe se globalizim do të thotë heqje e kufizimeve lokale. Nëse na ndaloni të bëhemi të mëdhenj në Britani, thonë oligarkët, ne do të shkojmë gjetkë duke marrë me vete kapitalin, taksat dhe vendet e punës e prosperitetin tuaj.

Në çdo krizë, qeveritë e kuptojnë shpejt marrëzinë e globalizmit. Kur u gjendëm në luftë me Gjermaninë, ne e kuptuam – me shumë vonesë – vlerën e fabrikave vendore dhe bujqësisë për vetëfurnizim. Por politika moderne zhvillohet krejtësisht sikur krizat të ishin një gjë që i përket të shkuarës. Procesi politik nuk është thjeshtë ai i ‘spin-doktorëve’ (propagandistëve). Ky i fundit është një ushtrim në amnezi kolektive. Edhe nëse do të ishte kështu, kriza aziatike duhet ta kishte bërë Partinë Laburiste vigjilente ndaj rreziqever: duke ndërkombëtarizuar ekonominë, ne e lidhim veten pas katastrofash që nuk mund t’i parandalojmë.

Por ka një arsye edhe më të rëndësishme për t’u rikthyer tek Kritika e vjetër socialiste. Besnikëria, përgjegjshmëria, ndershmëria: të gjitha këto janë gjëra që nuk mund të blihen. Në një treg të shfrenuar, ato dëbohen nga gjërat që mund të blihen. Mitmarrja, korrupsioni dhe mashtrimi zënë vendin e llogaridhënies. Tregu varet nga ndershmëria, por i lënë pa fre ai do ta shkatërrojë ndershmërinë. Kjo është arsyeja përse tregu ka patur sukses vetëm kur nuk është lënë pa fre – vetëm kur u nënshtrohet kufizimeve fetare dhe morale, që mbrojnë hambarin e virtytit njerëzor.

Nuk është vetëm jeta publike që është e hapur ndaj korruptimit nga tregu: edhe jeta private është e rrezikuar. Kështu ka qenë përherë: jo vetëm Partia e vjetër Laburiste, por edhe ajo Konservatore dënonin komercializimin e gjërave të shenjta. Paturpësia, harbutëria dhe blasfemia shquheshin menjëhere dhe dënoheshin. Dihej në mënyrë të gjithëpranuar se gjërat me vlerë nuk duheshin lënë të degradonin në gjëra me çmim. Seksi, për shembull, nuk duhet paraqitur si një objekt shkëmbimi mes dy të panjohurve. Ish-shefi ynë i censurës Xhejms Fërman, argumenton tani se duke lejuar disa forma të pornografisë, është e mundur të armatoseni në mënyrë më efektive ndaj formave të tjera, veçanërisht ndaj atyre që përfshijnë dhunën apo fëmijët. I tillë është naiviteti i mendjes liberale, që përfytyron se mund të lejosh shkëmbimn e lirë të produkteve dhe pastaj t’i mbash njerëzit jashtë tregut. Të gjithë tregjet, sapo të bëhen të lejueshëm, do të sjellin blerës dhe shitës të rinj. Pedofilia nuk mund të luftohet duke lejuar pornografinë, pasi kjo e fundit krijon modele mendore që nuk shohin asgjë të keqe tek pedofilia.

Z. Bler e përshkruan veten si socialist Kristian: ai nuk është aspak i tillë. Ashtu si Baronesha Theçër, ai ëhtë një liberal i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai mund të mos ketë thënë kurrë “nuk mund provosh brirët me tregun”, por ai vepron sikur kjo të ishte e vërtetë. Nëse ai do të vendoste parimet e tij fetare në praktikën politike, ai do të ishte një kapitalist Kristian. Sepse kapitalizmi është vtëm një emër i dytë për tregun dhe tregu do të jetë mes nesh jetë e mot. Në të vërtetë, ne duhet të themi për tregun atë që Çurçilli thoshte për demokracinë: një system shumë i keq, por alternativat janë më të këqija. Ashtu sikundër demokracia ka nevojë për ligje dhe institucione për të mbrojtur gjërat që nuk mund të hidhen në votë, kështu edhe tregu ka nevojë për skrupuj moralë e fetarë për të ruajtur gjërat që nuk janë për t’u tregëtuar.

Feja shpëton nga tirania e çmimit gjithë ato gjëra që kanë një vlerë të përhershme dhe jokomerciale: dashurinë, martesën dhe familjen; besnikërinë, ndershmërinë dhe vetëpërmbajtjen. Nëse këto gjëra nuk shpëtohen, atëherë shoqëria do të shthuret dhe tregu do të shthuret bashkë me të. Ky është mesazhi që duhet të dëgjojmë nga udhëheqësit tanë: ka gjëra që janë shumë të rëndësishme për t’u blerë dhe shitur. Është një mesazh që Papa nuk lodhet së përsërituri. Por është një mesazh që nuk do t’i jepet kurrë rëndësi, për sa kohë biznesi mbetet në sediljen e shoferit.

Përktheu: Vehap Kola

Artikulli paraprakLulzim Basha takim në KiE me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi, Nikollë Camaj
Artikulli tjetër“Tentativa të dëshpëruara për të mbajtur në këmbë marrëveshjen Berisha-Rama”/ PD, Kthupi: Të ndjekim këshillën e partnerëve ndërkombëtarë dhe të fillojmë nga puna për Reformën Zgjedhore