Brukseli merr vendimin, BE masa për të mbrojtur teknologjinë e rëndësishme nga Kina

Bashkimi Evropian bëri të ditur planin që ka për qëllim të përforcojë sigurinë ekonomike të tij, përfshirë një sërë masash për të mbrojtur teknologjinë e ndjeshme që të mos të bjerë në duart e rivalëve të saj gjeopolitikë, siç është Kina.

Brukseli tha se ka shtuar kufizimet tregtare për t’u përballur me ato që i vlerëson si rreziqe për sigurinë ekonomike evropiane pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës dhe tensioneve tregtare globale.

Pasojat e luftës në Ukrainë kanë goditur rëndë në veçanti Evropën, duke e detyruar bllokun që të gjejë burime alternative energjie. Tani, blloku po përpiqet t’i shmanget një varësie të ngjashme ndaj Kinës, e cila dominon në prodhimin e teknologjisë së energjisë së pastër dhe minerale të rralla kritike.

Zyrtarët evropianë sot shpalosën një pako të sigurisë ekonomike që përbëhet nga pesë nisma, përfshirë ashpërsimin e rregullave për verifikimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe fillimin e diskutimeve për koordinim të kontrolleve të eksportit.

BE-ja tashmë ka propozuar rregulla të reja, të cilat thotë se janë të domosdoshme për ta ruajtur përparësinë e bllokut gjatë kalimit global drejt përdorimit të teknologjisë për prodhimin e energjisë së pastër dhe për të joshur më shumë prodhim në Evropë.

“Në këtë garë, Evropa nuk mund të jetë vetëm një fushë për lojtarët e mëdhenj, por duhet të jemi duke luajtur vetë,” deklaroi zyrtarja më e lartë evropiane në fushën e konkurrencës, Margrethe Vestager.

“Duke bërë atë që po propozojmë, mund t’i largojmë rreziqet e ekonomive tona të ndërlidhura,” deklaroi ajo para gazetarëve në Bruksel.

Plani i të mërkurës është pjesë e përpjekjeve të BE-së që të largojë rreziqet por jo të largohet nga Kina. Plani mbështetet fuqishëm nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ndryshimi i marrëdhënies ndërmjet BE-së dhe Kinës është shtytësi kryesor për këtë përkrahje për sigurinë ekonomike, koncept krejtësisht i ri për BE-në,” deklaroi drejtori i studimeve ndërkombëtare pranë Institutit “Montaigne”, Mathieu Duchatel.

Artikulli paraprakKupa e Shqipërisë/ Përcaktohen tetë ekipet çerekfinaliste, zbuloni si ndahen vazot për shortin
Artikulli tjetërAjri i ndotur, Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë makina me naftë se në gjithë Europën