Shqipëria shënoi prurje të larta turistike vitin e shkuar, por operatorët turistikë vlerësojnë sidomos prirjen për kohëzgjatjen e sezonit turistik. Në disa qytete historike shqiptare siç është Gjirokastra, operatorët po punojnë tani ta shtrijnë ofertën turistike edhe gjatë dimrit. Sektori turistik vijon të përballet me shumë sfida që lidhen me shërbimet, fuqinë punëtore dhe luhatjet e tregut valutor.
Gjirokastra, një nga qytetet historike në Shqipëri, po bën përpjekje të tërheq interesin e vizitorëve edhe gjatë dimrit.
“Sidomos fundjavave vizitorët vendas dhe të huaj janë të shumtë në numër”, thotë Hysen Kodra, pronar i dy hoteleve dhe një restoranti në qytet.
“Kemi pasur vizitorë edhe në këtë stinë, dhjetori ka qenë i mirë për hotelerinë , edhe janari gjithashtu. Punojmë me kapacitet të plotë, sidomos në fundjavë. Çmimet ulen në këtë stinë dhe disa punime që po përfundojnë në zonën historike si parkingu dhe restaurimi i pazarit janë një mbështetje për tërheqjen e turistëve”, thotë zoti Kodra.
Ndërsa Maksi Hoxha sipërmarrës në hoteleri dhe drejtues i Dhomës së Tregëtsisë thotë se në Gjirokastër po thyhet tabuja e mungesës së turistëve vendas gjatë dimrit.
“Filloi dhe po thyhej tabuja e asaj që ne kërkonim gjithë kohën, turistin vendas. Sepse turistin e huaj ne e kishin në atë periudhën tradicionale të sezonit gjashtëmujor nga prilli në tetor. Fundivitn e shkuar dhe këtë fillim viti rezervimet kanë qenë të kënaqshme nga turistët vendas”, thotë ai.
Zoti Hoxha flet edhe për një risi gjatë vitit të shkuar kur në qytetin historik prurja turistike u rrit ndjeshëm edhe gjatë muajve korrik dhe gusht.
“Një risi e vitit të kaluar tek pjesa e turizmit ishte periudha korrik dhe gusht. Vitet e shkuara kanë qenë të zbehta prurjet pasi dihej që turizmi tradicional kulturor niste në prill deri në qershor dhe dy muajt e verës korrik gusht bënte një stanjacion me prurje të vogla pasi turistët zhvendoseshin sidomos në bregdet. Përgjatë vitit 2023 kemi pasur një dyndje të turistëve në Gjirokastër edhe në korrik dhe gusht falë edhe aktivitetit të kompanive të mëdha turistike.”
Rajoni i Gjirokastrës ka potenciale të mëdha turisitike që ka nisur t`i shfaqë me vlerat autentike, thotë Kristina Fidhi, që kordinon platformën virtuale “Vizit Gjirokastra” dhe që realizon me një kompani edhe udhëtime me kuaj.
“Rajoni kombinon më së miri pjesën kulturore ka më shumë eksperienca se cdo zonë tjetër sepse shërbimet janë ngritur edhe falë kërkesës edhe falë presionit të operatorëve ndërkombëtarë që e duan autencitetin . Por këto rajoni i kombinon me aktivitetet në natyrë që i ka të shumta edhe në dimër. Mund të ecet në këtë stinë në rrethina në mënyrë të shkëlqyer. Ka shtigje që nuk janë të rrezikshëm janë të vështirësisë së shkallës së ulët deri të të mesme që mund të behen nga kushdo. Kombinohen këto me jetën në fshat, me ushqimin. me muzikën. Kemi parë vizitorë që të marrin mësime valleje, të përfshihen në polifoni. Nuk janë të shumta por kjo është tendenca. Kjo do ta diferenconte profilin e rajonin nga një rajon tjetër. Sepse cdo rajon duhet të ketë profil autentik. Kjo duhet të ishte oferta edhe në dimër për bashkitë që lagen nga Lumi Vjosa tashmë Park Kombëtar me mundësi të shumta për turizmin natyror dhe rural.”
Zonja Fidhi thotë se komunitetet e vogla në zonat rurale po nisin të krijojnë të ardhura nga turizmi dhe kjo i nxit ato për të rritur shërbimet.
Por sfidat e sektorit truistik janë të mëdha dhe lidhen jo vetëm me shërbimet cilësore, por edhe me mungesën e fuqisë punëtore, luhatjet në tregun valutor.
Në Shqipëri u shënuan përgjatë vitit 2023 rreth 10.1 milionë vizitorë , por përtej treguesve sasiorë sektori kërkon më shumë mbështetje për të plotësuar shërbimet dhe rritur ofertën turistike./ VOA