Rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për institucionet pas shkeljeve apo problemeve të hasura gjatë auditimeve janë pranuar masivisht prej tyre por jo të gjithë i kanë zbatuar ato.
Një raport i publikuar këto ditë dhe që ka në vëmendje gjithë rekomandimet që KLSH ka bërë gjatë vitit 2022 tregon se mbi 27 për qind e rekomandimeve nuk janë zbatuar.
“Nga verifikimet e kryera për 95 auditime të kryera nga KLSH, lidhur me nivelin e zbatimit të rekomandimeve të lëna gjatë vitit 2022, rezultoi se janë dhënë gjithsej 3186 masa (që përfshijnë 42 përmirësime ligjore, 2164 masa organizative, 197 masa shpërblim dëmi, 370 masa për shpenzime pa eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet, 72 masa administrative dhe 341 masa disiplinore), nga të cilat janë pranuar 3077 masa, ose 97%; dhe nuk janë pranuar 109 masa, ose 3%.
Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimeve rezultoi se nga 3077 masa të pranuara, janë zbatuar (plotësisht dhe pjesërisht) 1551 ose 50.4%; janë në proces zbatimi 690 ose 22.4%; dhe 836 masa nuk janë zbatuar ose 27.2%. Më konkretisht” thuhet në publikim.
Pjesa më e madhe e masave i përkasin atyre organizative ku sipas KLSH janë rekomanduar gjithsej 2164 të tilla, nga të cilat janë pranuar 2082 masa ose 96% e tyre dhe nuk janë pranuar 82 masa ose 4%. Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimeve rezulton se nga masat e pranuara janë zbatuar plotësisht 887 masa ose 43%, zbatuar pjesërisht 218 masa ose 10%, janë në proces zbatimi 489 ose 23.5% dhe nuk janë zbatuar 488 ose 23.5% e tyre.
Raporti vlerëson se janë propozuar gjithashtu 341 “Masa disiplinore” nga të cilat janë pranuar 337 masa ose 99% dhe nuk janë pranuar 4 masa ose 1%. Nga verifikimi i zbatimit të rekomandimeve rezulton se nga masat e pranuara janë zbatuar plotësisht 149 masa ose 44%, pjesërisht 32 masa ose 9%, janë në proces zbatimi 24 masa ose 7% dhe nuk janë zbatuar 132 masa ose 39%. Në këtë aspekt duket se ka një pjesë më të lartë moszbatimi.
Sipas KLSH për institucionet edhe pse pranojnë rekomandimet që bëhen nga ana e këtij institucioni zbatimi në praktikë është shumë më kompleks dhe në disa raste kërkon kohë të gjatë apo përfshirjen e një sërë institucioneve duke e bërë finalizimin më të vështirë.
“Në vijim të sa më sipër, rreth 38% e rekomandimeve të lëna gjatë vitit të mëparshëm në auditimet e performancës, edhe pse pranuar në masën 98%, rezultuan ende në proces zbatimi (26%) dhe të realizuara pjesërisht (12%), pikërisht sepse implementimi i tyre merr më tepër kohë” vlerëson KLSH./ Monitor