Nënkryetarja e PD-së Oriola Pampuri tha në studion e MCN Live se përplasjet që nxit “Rithemelimi” në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore janë skena që ndihmojnë tërësisht PS-në, ashtu siç ndodh edhe në Kuvend.
Duke vijuar më tej, Pampuri theksoi se e gjithë ‘rrëmuja’ që krijohet në këtë komision është një absurditet i madh përballë çështjeve kryesore që duhet të diskutohen.
Janë qurravitje, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore është komision i përbërë, shumica e përfaqësuesve të opozitës janë ose deputetë të Rithemelimit, ose shtojca dhe aleatët. Vetëm Çollaku që është i PD-së zyrtare dhe Alibeaj. Çdo vendim i përbashkët merret nga të gjithë, kërkon votat e të gjithëve. Nuk e kuptoj ku qëndron ndryshimi mes njërit apo tjetrit bashkëkryetar. E gjithë kjo kërkesë është absurditeti më i madh përballë një çështjeje kaq thelbësore.
Këtë luftë po e bëjnë për të bllokuar komisionin e Reformës Zgjedhore. Kur shkojnë në PE, në SHBA shkojnë bashkë të gjithë.
Ajo nuk është opozitë, është skenë që ndihmon PS-në siç e ka ndihmuar për të votuar projektligje në Kuvend. Më parë dilnin me flakadanë, tani me pankarta. Nëse do kishin arritur ndonjë qëllim, do e kishin penguar votimin e ndonjë projektligji. Nuk ka rezultat as kjo rrëmujë në komision. Të bësh rrëmujë të tillë besoj se i ke shërbyer tërësisht PS-së.
E kemi lënë derën të hapur dhe kemi thënë që jemi të gatshëm për të propozuar një draft të përbashkët. Nuk kemi marrë përgjigje. Bardhi del dhe vendos një listë me emra që janë të Rithemelimit.
Paraqet një listë me anëtarë të komisionit që janë të Rithemelimit, kjo është në të mirë të interesave të tyre personale.
Tek grupi i Bardhit janë personazhe që nuk kanë paraqitur koherencë politikë. Në politikë vërtetë ka pasur ndryshime, por një mungesë kaq të theksuar koherence ka pasur vetëm ky grup.