Juria e Çmimit Kadare ka zgjedhur 10 dorëshkrimet më të mira, nga 32 të tilla që morën pjesë në konkursin letrar. Më 15 shkurt do të publikohen 5 finalistët dhe fituesi shpallet në fund të muajit
Anëtarët e jurisë, Nasi Lera, Gazmend Krasniqi, Armand Bora, Ermir Nika dhe Suadela Balliu, kanë bërë të ditur 10 autorët që kalojnë fazën e parë të Çmimit Kadare, një nga më prestigjiozët që jepet sot për prozën shqipe. Me marrjen e krijimtarisë së 32 autorëve, e paraqitur me sinopse dhe 15 faqe të dorëshkrimit, nisi puna e kujdesshme e leximit dhe vlerësimit të tyre, për të përzgjedhur hap pas hapi atë vepër që sjell diçka të re në letërsinë shqipe apo evidenton një talent të ri.
Puna e jurisë nuk është asnjëherë e lehtë, por fryma, përgjegjshmëria dhe serioziteti e lehtësojnë procesin e dakordësimit. “Duhet që të kapërcejmë veten për të qenë sa më objektivë në dhënien e çmimit”, thotë shkrimtari dhe përkthyesi, Nasi Lera, i cili në këtë 10 vjetor të Çmimit Letrar Kadare mban detyrën e kryetarit të jurisë. Një rol që ai e pranoi pa hezitim, i nderuar që në këtë proces do të bashkëpunojë me njerëz me dinjitet letrar dhe personalitet njerëzor, siç i cilëson ai kolegët e tij.
Kjo nuk do të thotë se nuk e ndjen peshën e përgjegjësisë për të nxjerrë prozën më të mirë letrare. “Është e vështirë, të them të drejtën, sepse si anëtarë jurie kemi qëndrimin tonë objektiv ndaj letërsisë, por edhe kufizimet që na ka dhënë shija jonë letrare”, thotë shkrimtari, ndërsa shton se ky çmim më shumë se vlerësim material është një vlerësim shpirtëror.
“Jam i bindur se ai apo ajo që do ta fitojë çmimin Kadare për këtë vit, do t’i mbetet për të gjithë jetën si një pikë referimi, kur ka realizuar një ëndërr të madhe”, thotë Lera.
Çmimi Kadare jepet për prozën më të mirë shqipe, pa pasur kufizime gjeografike, moshe, eksperience apo gjinie. Gjithmonë ka qenë i hapur për të gjithë, emra të njohur e të panjohur. Edhe këtë vit aplikimet ishin të larmishme, me vepra në tregime, romane e drama, me autorë nga të gjitha trojet shqipfolëse.
Juria ka selektuar dhjetë prej tyre, të cilët kanë janë veçuar nga pjesa tjetër për origjinalitetin në narrativën e treguar, skalitjen e karaktereve, apo evidentimin e fenomeneve shoqërore e njerëzore.
10 autorët e përzgjedhur
1. Antonio Çikollari – “Tregime” (Tregime)
2. Arlind Farizi – “Nana e djegur” (Roman)
3. Dionis Prifti – “Dy javë nën balonë” (Roman)
4. Granit Yela – “Përmbytja” (Roman)
5. Grigor Jovani – “Klinika” (Tregime)
6. Hygerta Istrefi – “Eja më zgjo jetë” (Roman)
7. Ilir Mborja – “Pianoja e Verdhë” (Tregime)
8. Klidi Apostoli -“Jetë e dytë e tretë” (Roman)
9. Luljeta Dano – “Njohja” (Roman)
10. Ylli Pango – “Të Vegjlit e mi” (Roman)
I gjithë projekti çmimit Kadare kap shifrën e 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë veprën që do të gjykohet më e mira dhe e përcjellin tek audiencat dhe lexuesit përmes tureve promovuese, bisedave të hapura, panaireve të librave, kronikave në medie, etj.
Që kur u themelua, në vitin 2014, me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare, çmimi ka pasur mision jo vetëm inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, por edhe nxitjen e debatit dhe kritikës letrare.